Aktualitet Politikë

Zgjedhjet 2025/ Pas qeverisë, edhe deputetët mbledhje! Zbardhen diskutimet

Nën drejtimin e Niko Peleshit si kryetar i ri i grupit parlamentar socialist është zhvilluar mbledhja e parë e deputetëve të shumicës socialiste.

Burime nga ky grup i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se kryefjalë e mbledhjes ishte komunikimi i deputetëve me bazën në funksion të zgjedhjeve 2025.

Në grupin e PS është reflektuar ajo që prodhoi mbledhja informale e qeverisë në Dajt të dielën, ku fokusi ishte tek format e komunikimit me qytetarët.

Në funksion të kësaj do të mbahet në ditët në vazhdim një takim informal me deputetët socialist, për të intensifikuar rritjen e komunikimit qoftë në rrjetet sociale apo debatet televizive.

Kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali e vuri theksin tek prezenca në sallë e kolegëve të saj deputetë.

Citohet të ketë deklaruar se nuk do të lejojë diskutimin e projekt ligjeve pa prezencën e ministrit propozues të projekt ligjit.

Elisa Spiropali ka theksuar se “çdo ministër duhet të shpjegoj me detaje në seancë plenare përmbajtjen e projekt ligjeve dhe ti përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Ndërsa ministri i ri për marrëdhëniet me parlamentin Taulant Balla citohet ta ketë vënë theksin edhe ai, tek pjesëmarrja e deputetëve në seancat plenare.

“Nuk keni punë më të rëndësishme se sa pjesëmarrja por edhe të qenurit aktiv e jo memec në seancat plenare” është shprehur përpara grupit parlamentar socialist ministri Balla.