Votuesit në Bullgari sot janë thirrur t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur një parlament të ri. Kjo është hera e shtatë në tre vjet e gjysmë që atyre u kërkohet të dalin në zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vendin e BE-së ishin bërë të nevojshme sepse asnjë parti nuk mundi të formonte qeverinë pas zgjedhjeve të parakohshme të 9 qershorit të këtij viti.
Sondazhet tregojnë se aleanca pro-perëndimore e qendrës së djathtë GERB-SDS ka të ngjarë të dalë nga zgjedhjet e sotme si forca më e fortë. Megjithatë, nuk pritet të sigurojë shumicë absolute. Parlamenti bullgar do të mbetet i fragmentuar. Janë shfaqur parti të reja që po marrin pjesë në zgjedhje. Pas votimit të sotëm pritet që të paktën shtatë forca politike të hyjnë në parlament. Ndërtimi i koalicionit duket i vështirë pas këtyre votimeve ashtu si edhe pas atyre të mëparshme.
Në një tjetër zhvillim, zgjedhje u mbajtën edhe në Gjeorgji duke u veçuar si të rëndësisë kyçe. Ato i fitoi njeriu më i fuqishëm i vendit sipas rezultateve paraprake zyrtare dhe kjo është një goditje për ata gjeorgjianë që shpresojnë për integrimin në Bashkimin Europian. Themeluesi i partisë Endrra Gjeorgjiane, miliarderi Bidzina Ivanishvili, opozita dhe diplomatët e huaj, iu referuan zgjedhjeve si “moment vendimtar që do të vendoste nëse Gjeorgjia do t’i afrohej Perëndimit ose do të anonte përsëri drejt Rusisë, në mes të luftës në Ukrainë”.
Rezultatet e para zyrtare, me 70% të zonave të numëruara e që përfaqësojnë shumicën e votave të hedhura, treguan se partia në pushtet kishte fituar 53%, siç njoftoi Komisioni i Zgjedhjeve. Rezultatet nuk përfshijnë shumicën e votave të hedhura nga gjeorgjianët që jetojnë jashtë vendit.
Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve. Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv “Imedi” e që mbështet Endrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56% të votave.
Por sondazhet e kanaleve të pro-opozitës “Formula” dhe “Mtavari Arkhi” treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.
Bidzina Ivanishvili, dikur kryeministër i partisë në pushtet, shpalli fitoren dhe lavdëroi qytetarët e Gjeorgjisë:
Eshtë një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë. Ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian.
Megjithëse Endrra Gjeorgjiane humbi përballë opozitës në pjesë të kryeqytetit, Tbilisi, ajo fitoi deri në 90% në disa zona rurale. Opozita gjeorgjiane fillimisht kremtoi fitoren dhe disa vëzhgues raportuan shkelje zgjedhore. Por një numërim paralel i kryer nga një prej partive opozitare tregoi se Endrra Gjeorgjiane është në një pozicion të fortë për të fituar shumicën.