Bota

Zgjedhje në Brandenburg, Scholz kërkon të ndalë ekstremistët e djathtë gjermanë!

Në Brandenburg të Gjermanisë po zhvillohen zgjedhje, tri javë pas një rritjeje të partisë së ekstremit të djathtë në dy shtete të tjera në pjesën lindore të vendit. Rreth 2.1 milion njerëz janë të regjistruar për të votuar për një parlament të ri në Brandenburg, shtetin që përfshin kryeqytetin gjerman, Berlinin. Votimet po vëzhgohen me kujdes për shkak të asaj që mund të tregojnë në lidhje me drejtimin politik të Gjermanisë.

Anketat e fundit tregojnë se Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është në garë të ngushtë me Social-Demokratët që kanë qeverisur Brandenburgun pandërprerë, që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990, pra prej 34 vitesh.

Partia Social-Demokrate, më e madhja në qeverinë e kancelarit Olaf Scholz, shpreson të mbajë kontrollin mbi bastionin e saj përballë rritjes së mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë e të majtë. Nëse social-demokratët humbin në Brandenburg, kjo do të shihej si një shenjë e keqe për Scholzin, një vit para zgjedhjeve federale që do të mbahen më 28 shtator 2025.

Scholz jeton në Potsdam, kryeqytetin e Brandenburgut dhe vëzhguesit politikë gjermanë besojnë se e ardhmja politike e kancelarit do të varet nga rezultatet e votës së sotme atje. Fati i guvernatorit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, gjithashtu është në rrezik. Ai e bëri qëllim të tij që social-demokratët ta mposhtin Alternativën për Gjermaninë dhe u zotua se do të dorëhiqet nëse AfD-ja fiton.

Nëse humbas ndaj AfD-së, unë do të largohem.

Alternativa për Gjermaninë fitoi më shumë vota në shtetin e Turingisë dhe gjithashtu pati rezultate të mira në zgjedhjet në Saksoni, më 1 shtator. Një parti e re e themeluar nga një figurë e njohur e majtë, gjithashtu pati rezultate të mira ndërsa subjektet në qeverinë e Scholzit shënuan rezultate shumë të dobëta.

Kjo ishte hera e parë që ekstremi i djathtë fitoi zgjedhjet në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore, çka i dha një goditje të rëndë koalicionit qendror të Scholz-it. Gjithashtu, ngjalli shqetësime në Gjermani dhe jashtë saj lidhur me mbështetjen në rritje për ekstremin e djathtë në vendin më të madh të Bashkimit Europian dhe anëtaren e NATO-s.

Partia e ekstremit të djathtë ka fituar mbështetje dhe shkak i pakënaqësive është emigracioni masiv në Gjermani gjatë dekadës së kaluar. Ekonomia gjermane ka filluar të dobësohet, duke shtuar ndjenjën e përgjithshme të pakënaqësisë.

Vota e sotme vjen pas një fushate zgjedhore të nxehtë, të përqendruar në çështjet e emigracionit, sigurisë së brendshme dhe paqes. Si ekstremi i djathtë ashtu edhe lëvizja e re e majtë, Aleanca Sahra Wagenknecht ose BSW, dëshirojnë të ndalojnë dërgesat e armëve në Kiev ndërsa Ukraina përpiqet ta mbrojë veten nga pushtimi i plotë i Rusisë. Edhe nëse Alternativa për Gjermaninë fiton në Brandenburg, ka pak gjasa të qeverisë pasi partitë e tjera refuzojnë të bashkëpunojnë.