Bota

Zgjedhje masive në Meksikë, për herë të parë pritet një presidente grua!

Meksika është në prag të një ndryshimi historik pasi parashikimet tregojnë se gruaja e parë do të zgjidhet në postin e presidentit në zgjedhjet e ditës së sotme, më të mëdhatë në historinë e këtij shteti.

Sondazhet po e bëjnë të qartë se kandidatja e qeverisë, Claudia Sheinbaum nga partia e krahut të majtë në pushtet “Morena” ka të ngjarë të fitojë më shumë vota se kandidatja e opozitës Xóchitl Gálvez. Një kandidat i tretë presidencial shihet se nuk ka asnjë shans.

Sheinbaum, një shkencëtare e çështjeve klimatike dhe njëherazi ish-kryetare e bashkisë së qytetit të Meksikos, konsiderohet një aleate e vjetër e presidentit populist të krahut të majtë në detyrë, Andrés Manuel López Obrador, i cili nuk u lejua që të kandidojë përsëri pas gjashtë vjetësh në detyrë.

Nga ana tjetër, Gálvez, një biznesmene, inxhiniere dhe ish-senatore, mbështetet nga aleanca e gjerë e opozitës qendrore, e njohur si “Forca dhe Zemra për Meksikën”, e formuar nga Partia e Veprimit Kombëtar (PAN), Partia Revolucionare Institucionale (PRI) dhe Partia e Revolucionit Demokratik (PRD).

Krahas zgjedhjes së presidentit, meksikanët do të votojnë për të gjitha vendet në Dhomën e Deputetëve, Senatin, si dhe postet rajonale e komunale.

Dita e diel po konsiderohet si një ditë zgjedhjesh me përmasa historike. Në total, më shumë se 20 mijë zyra janë në dispozicion në vendin më të populluar spanjishtfolës, duke përfshirë qeveritë në tetë nga 31 shtetet federale e në rrethin e kryeqytetit.

Pothuajse 100 milion qytetarë kanë të drejtë vote.