Dëshmia e ish-ministrit Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë ka mbetur sërish peng i debateve mes opozitës dhe mazhorancës.
Pas 8 orësh debatesh dhe akuzash nëse në Komision duhet thirrur Vilma Nushi dhe kryeministri Edi Rama, palët nuk gjetën konsensus as në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Opozita kërkon shtyrjen e afatit të komisionit, me argumentin se duhen pyetur Nushi e Rama, si edhe nuk ka as kohë për të pyetur listën e dëshmitarëve të miratuar mes dy palëve, pasi afati përfundon nesër. Kërkesa e PD për shtyrjen e afatit i kalon nesër seancës plenare për votim.
Ilir Beqajn, dje nuk e lanë të jepte dëshmi me Power Point prandaj mori me vete fotografi të printuara ku tregojnë foto të spitaleve dhe sallave para vitit 2013.
PD këmbëngul tek thirrja e Ramës si dëshmitar dhe kërkon zgjatjen e afatit të këtij komision. “Pa dëshminë e Edi Ramës nuk duhet të mbyllet komisioni” tha Edmond Spaho.
Beqaj u paraqit sot në Kuvend në orën 10:30. Ai u tregua i kujdesshëm që prangat të cilat i rrethonin duart, t’i mbulonte me xhaketë për t’i shpëtuar syrit të medias.
Beqaj ndodhet në paraburgim pasi po hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për abuzim me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC ndërsa për koncesionin e sterilizimit ai po hetohet nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ .
Debati mes opozitës dhe mazhorancës vijoi edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku u shqyrtua kërkesa e opozitës për shtyrje të afatit për Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Kërkesa e PD për zgjatjen e afatit u parashtrua nga deputetja demokrate, Ina Zhupa përmes 3 argumenteve.
1- S’ka kohë për dëshmitarët e miratuar nga të dyja palët.
2- S’ka asnjë mundësi zbardhje dhe miratim procesverbalesh
3- S’ka asnjë mundësi te diskutohet edhe të shkruhet raporti
Por Partia Socialiste kundërshton zgjatjen e afatit për Hetimorin e Shëndetësisë përmes Tualant Ballës, i cili tha se kanë pasur kohë të mjaftueshme, por kryetarja Albana Vokshi ka zvarritur punën.
“Fajin e ka kryetarja e komisionit, ajo e zvarrit, nuk keni bërë punë”, tha Balla.
Në mungesë konsensusi, çështja i kalon nesër seancës plenare.