Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme mori vendimin për të zgjatur pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar të KFOR-it në Kosovë.
Pjesëmarrja e Forcave të Armatosur në operacionin ushtarak të KFOR në Kosovë përfundonte më 31 dhjetor 2024, por tashmë është zgjatur edhe për tre vite të tjera, deri më 31 dhjetor të vitit 2027.
Njoftimi i plotë
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.910, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK NDËRKOMBËTAR KFOR, KOSOVË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.910, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR, Kosovë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 4, togfjalëshi “… 31 dhjetor 2024 …” zëvendësohet me “… 31 dhjetor 2027 …”;
b) Në shkronjën “a”, të pikës 5, togfjalëshi “… në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë …” zëvendësohet me “… në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU.