Bota

Zelensky: Sulmi masiv rus kishte në shënjestër infrastrukturën energjetike të Ukrainës!

“Mbrojtja ajrore e Ukrainës kapi shumicën e 120 raketave dhe 90 dronëve të lëshuar nga forcat ruse gjatë natës”, siç njoftoi sot presidenti Volodymyr Zelensky në një postim në Telegram.

Mbrojtja jonë ajrore shkatërroi më shumë se 140 objektiva ajrore. Për fat të keq ka dëmtime në ndërtesa nga goditjet dhe rrënojat. Kryesisht, sulmet ruse shënjestruan infrastrukturën energjetike në të gjithë vendin dhe në zona të caktuara, çuan në ndërprerje të energjisë elektrike.

Presidenti ukrainas i shprehu ngushëllime familjeve të dy grave që u vranë në qytetin jugor Mykolaiv. Ushtria ruse nisi një sulm masiv me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë Kievin e Odesën. Shpërthime u raportuan edhe në Zaporizhia, Dnipro, Kryvyi Rih e Odesë.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se dhjetëra raketa kanë goditur objektiva në të gjithë vendin. Para kësaj, Rusia ka vendosur dhjetëra dronë luftarakë. Në disa zona, energjia elektrike u ndërpre si një masë paraprake për të parandaluar mbingarkimin e mundshëm të rrjetit.

Në Facebook, ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko raportoi lidhur me një sulm masiv në sistemin energjetik të Ukrainës.

Sulmi masiv vjen kur pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po shkon drejt ditës 1000. Rusia ka shpenzuar sasi të mëdha armësh dhe ka humbur shumë njerëz për të bërë përparim të vogël por të qëndrueshëm territorial. Deri më tani ka nën kontroll pothuajse një të tretën e territorit të Ukrainës.

Ndërkaq, Ukraina po përballet me vështirësi që të minimizojë humbjet, të mbajë lart moralin e të bindë aleatët se me më shumë ndihmë ushtarake mund ta kthejë rrjedhën e luftës në favor të saj. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, u shpreh se shumë shpejt, ai do t’i japë fund luftës edhe pse nuk është e qartë se si do ta arrijë këtë.

Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, sot shtynë Poloninë që të ngrinte në qiell avionët luftarakë.

Për shkak të sulmit masiv nga Federata Ruse duke përdorur raketa lundruese, balistike dhe dronë, avionët polakë e të aleatëve kanë nisur të operojnë në hapësirën tonë ajrore, njoftoi komanda operacionale e forcave të armatosura të Polonisë, shtet anëtar i NATO-s.

Kemi aktivizuar të gjitha forcat dhe burimet në dispozicion, avionët luftarakë janë ngritur në qiell dhe sistemet e mbrojtjes ajrore e radarët janë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë.