Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe nuk e kanë autorizuar Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë ndaj objektivave brenda Rusisë, “ndoshta për shkak të frikës nga një eskalim”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se përdorimi i armëve me rreze të gjatë në Rusi do të nënkuptonte se vendet e NATO-s ishin në luftë me Moskën.
“As Amerika, as Mbretëria e Bashkuar nuk na dhanë leje të përdorim këto armë në territorin e Rusisë, ndaj ndonjë objekti, në ndonjë distancë”, i tha Zelensky gazetarëve në orët e vona të 20 shtatorit.
“Mendoj se ata janë të shqetësuar për një eskalim”, shtoi ai.
Këto armë i janë dhënë Ukrainës nga aleatët e saj perëndimorë.
Zelensky gjithashtu tha se aleatët e Ukrainës kishin rritur mbështetjen e tyre ushtarake për ushtrinë ukrainase, e cila po lufton për të ndaluar avancimin e forcave ruse në lindje të vendit.
“Ndihma u përshpejtua në shtator. Jemi të kënaqur. Mund ta ndjejmë ndryshimin”, tha ai.
Vonesa në furnizimin e armëve për shkak të ndarjeve politike midis aleatëve e la ushtrinë ukrainase pa furnizime në fillim të këtij viti.
Kievi është shumë i varur nga kjo mbështetje ushtarake. Ushtria e saj ka më pak burra dhe armë se forcat ruse me të cilat ka luftuar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.