“Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është i interesuar që të mbajë negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë por dëshiron që të mbajë bisedime me udhëheqësit e huaj, për t’i dhënë fund izolimit të tij ndërkombëtar”. Kështu deklaroi sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi një ditë më parë, shefi i Kremlinit, zhvilloi një bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Mendoj se Putin nuk e do aspak paqen por kjo nuk nënkupton se ai nuk dëshiron që të ulet me disa nga udhëheqësit botërorë (në tryezën e negociatave). Kjo pasi për të, izolimi politik nënkupton një shkatërrim. Eshtë shumë fitimprurëse për të që të ulet, të bisedojë e madje të mos bjerë dakord, vuri në dukje Zelensky gjatë një interviste për mediat ukrainase.
Ai nuk mund të udhëtojë dhe negociatat nënkuptojnë se Vladimir Putin mund të shkojë diku… Kjo do të nënkuptonte fundin e izolimit për të, theksoi presidenti ukrainas Zelensky në lidhje me homologun rus.
Megjithatë, Zelensky shtoi se “Ukraina do t’i japë fund konfliktit sa më shpejt që të jetë e mundur” dhe e pranoi se situata në fushëbetejë, në rajonin e lindjes së vendit, aty ku Rusia po bën përparime ishte e vështirë pasi ushtria ukrainase ka më pak ushtarë dhe më pak armë se ushtria ruse.
Sa na përket, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm e të përfundojë përmes diplomacisë.
Zelensky shtoi edhe se dëshiron që të bisedojë direkt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump e jo përmes ndërmjetësve. Por një kontakt i tillë, sipas ligjeve amerikane, siç vuri në dukje Zelensky, nuk është i mundur para se Trump të marrë detyrën edhe zyrtarisht.
Si president i Ukrainës, unë do ta marr seriozisht vetëm bisedën me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me gjithë respektin që kam për njerëzit e tjerë, tha Volodymyr Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas kritikoi bisedën që dje Scholz zhvilloi me Putin-in, duke paralajmëruar se ka hapur “Kutinë e Pandorës”, pasi siç tha “minohen përpjekjet për të izoluar numrin një të Kremlinit” e “për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë” përmes asaj që e quajti “paqe e drejtë”.