Bota

Zelensky prezanton “Planin e fitores”/Përfshin kërkesën për anëtarësim në NATO!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky prezantoi planin që ai beson se do të ndryshonte drejtimin e luftës në të mirë të Kievit dhe do të mund t’i jepte fund konfliktit me Rusinë, jo më larg se vitin e ardhshëm. Në një fjalim të mbajtur sot para Parlamentit ukrainas, Zelensky bëri thirrje që “partnerët t’i heqin kufizimet për përdorim të armëve me rreze të gjatë në gjithë territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia, si dhe në Rusi e në infrastrukturën ushtarake të armikut”. Po ashtu, të ofrohet ndihmë në “furnizimin e brigadave rezervë”.

Në “Planin e fitores” të përbërë prej pesë pikave, hodhi poshtë mundësinë e copëtimit të territorit ukrainas, si dhe bëri thirrje që Kievi të ftohet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s e që Ukraina të pajisjet me një paketë strategjike parandaluese jobërthamore.

Lideri ukrainas u shpreh se do të prezantojë hollësitë e planit nesër në një samit të Bashkimit Europian, që do të mbahet në Bruksel. Ai shtoi se planin e ka diskutuar me liderë të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dukje se Ukraina duhet të “kthjellohet” e akuzoi Zelensky-n se vetëm sa ka “kamufluar” një plan amerikan. Moska kundërshton hapur anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe një mundësi të tillë e përdor si pretekst se përse nisi luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kievi ka pritur të marrë një përgjigje për planin, në një takim që ishte planifikuar të mbahej në bazën Ramstein javën e kaluar në Gjermani, por u shty për shkak se presidenti amerikan, Joe Biden anuloi udhëtimin, për shkak të uraganit Milton.

Zelensky ka shtuar se po pret përgjigje për planin para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin që ofron përkrahjen më të madhe financiare dhe ushtarake për Kievin meqë një fitore e kandidatit republikan, Donald Trump mund të zbehë përkrahjen e Uashingtonit.

Një natë më parë, Rusia ndërmori një tjetër sulm me dronë ndaj Kievit. “Qëndroni në strehimore”, shkroi kryebashkiaku Vitali Klitschko në aplikacionin e mesazheve Telegram. Ai tha se dronët po fluturonin drejt lagjes së madhe Troieshchyna, në periferi të Kievit.

Në rrjetin Telegram, Serhiy Popko, shefi i administratës ushtarake të Kievit u shpreh se njësitë e mbrojtjes ajrore u angazhuan në zmbrapsjen e sulmit. Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur të dhëna për dëme apo lëndime nga sulmi rus me dronë. Alarmi për sulme ajrore ruse u dha për Kievin, si edhe për rajonet përreth e gjysmën lindore të Ukrainës.

Ndërkohë, dronët ukrainas ndërmorën një seri sulmesh një ditë më parë në rajonin kufitar jugor Belgorod të Rusisë, duke shkaktuar tetë të plagosur e dëmtuar automjete dhe prona, siç dhe bëri të ditur guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov.