Lufta ruse në Ukrainë, Kievi krenohet me arritjet. Në fjalimin më të fundit në video, presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky tha se komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, Oleksandr Syrskyi e informoi lidhur me një “përparim të luftës në territorin e agresorit rus”.
Ukraina po provon se është e aftë të sigurojë drejtësi dhe të ushtrojë presion mbi agresorin, deklaroi kryetari i shtetit.
Por, as Zelensky dhe as ushtria në Kiev nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi statusin aktual të avancimit të trupave ukrainase. Të enjten e kaluar, Zelensky u shpreh se “Rusia solli luftën në tokën tonë dhe duhet të ndjejë atë që ka bërë”.
Autoritetet ruse vazhduan të evakuojnë qindra mijëra civilë nga rajoni jugor i Kurskut, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua trupave ukrainase për herë të parë pas pesë ditësh luftime të ashpra.
Forcat ruse të mbrojtjes civile thanë se rreth 76 mijë civilë janë evakuuar nga rajoni kufitar duke u akomoduar në të tjera pjesë të Rusisë. Ndërsa inkursioni i Kievit vazhdoi në ditën e pestë, blogerët ushtarakë rusë përshkruan përpjekjet e forcave të armatosura ukrainase për të vazhduar atë që ata e quajtën “blitzkrieg” (“luftë rrufe”).
Mes informacioneve të kufizuara për situatën në vijën e frontit, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi video që tregonin tanke që merrnin pozicione luftarake për të goditur trupat ukrainase.
Për momentin, situata është stabilizuar, shkroi blogeri ushtarak Alexander Kharchenko në një raport të publikuar nga kanali Telegram Rybar.
Sudzha është në këmbë, komanda po bën çdo përpjekje për të pastruar qytetin nga armiku, shtoi Kharchenko teksa iu referua një lokacioni në rajonin Kursk, në afërsi të kufirit me Ukrainën.
Nëse armiku nuk vendos forca të rëndësishme në mënyrë të papritur në një vend, atëherë mund të themi se kulmi i krizës ka kaluar, vuri në dukje ushtaraku rus.
Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) me seli në Uashington, Ministria ruse e Mbrojtjes ende është duke u përpjekur që të përmbahet nga tërheqja e trupave nga vijat e frontit në Ukrainë dhe kjo, me synimin e vetëm për të përforcuar njësitë ushtarake të Moskës në rajonin e Kurskut.