Bota

Zelensky-Perëndimit: Përshpejtoni ndihmën ushtarake për Ukrainën!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sërish u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë që “me shpejtësi” të zbatojnë marrëveshjet për armët dhe furnizimet e tjera për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit të nisur nga Rusia.

Në një video-mesazh të publikuar dje në orët e vona, ai tha se “është e rëndësisë kritike që të gjitha shtetet e sidomos Amerika, të mund që të zbatojnë menjëherë marrëveshjet e arritura me Ukrainën”.

Ndikimi duhet që të ndihet në front. Çdo vonesë e paketave ushtarake ka pasoja negative në front. Çdo dërgesë në kohë, çdo dërgesë e shpejtë ka ndikim pozitiv.

Përpjekjet e mëdha për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën po vazhdojnë në kohën kur NATO po përballet me thirrje nga disa shtete anëtare që të furnizojë Kievin me armë më të avancuara.

Vazhdimisht, Kievi po thotë se ka nevojë që të kryejë sulme brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi, në mënyrë që të mund të mbrojë veten nga forcat pushtuese ruse. Ky argument ukrainas është mbështetur nga disa zyrtarë të NATO-s.

Dy ditë më parë, kryeministri britanik, Keir Starmer u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Joe Biden, për të diskutuar nëse duhet miratuar kërkesa e Ukrainës për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në Rusi.

Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, u shpreh dje se Biden “është i vendosur që t’i përdorë katër muajt që i kanë mbetur nga mandati presidencial që ta vendosë Ukrainën në pozitën më të mirë të mundshme, në mënyrë që të triumfojë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më herët gjatë javës se Perëndimi do të ishte “në luftë” me Rusinë nëse i lejon Ukrainës që të sulmojë me raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në Perëndim. Nga ana tjetër, Medvedev deklaroi se Moska mund ta shkatërrojë kryeqytetin ukrainas, Kiev me armë jobërthamore, nëse Perëndimi heq kufizimet e tij.

Medvedev, i cili tani shërben në postin e kryetarit të Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, po ashtu shtoi se Rusia mund që edhe të përdorë armë bërthamore.