Bota

Zelensky: Inkursioni në Rusi ndihmon në planet për këmbim!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se qëllimi i inkursionit të befasishëm në rajonin jugor rus, Kursk, i nisur muajin e kaluar është kapja e tokave dhe trupave ushtarake për qëllime shkëmbimi dhe vuri në dukje se Kievi nuk ka nevojë për tokën e Rusisë.

Nuk na duhet territor rus. Operacioni ynë ka për qëllim rikthimin e integritetit territorial. Ne kapim trupa ushtarake ruse për t’i këmbyer me trupat ukrainase. Ne u themi atyre, shikoni, neve na duhen ushtarët tanë në këmbim me rusët. E njëjta logjikë është edhe për territoret. Nuk na duhet toka e tyre.

Prej nisjes së inkursionit në rajonin Kursk, në fillim të gushtit, Kievi pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 1.200 kilometrave të territorit rus. Në raportimet paraprake janë dhënë sinjale që Kievi synon që përmes këtij operacioni të pozicionojë veten më mirë, në rast të nisjes së bisedimeve për paqe.

Ukrainasit dhe analistët kanë sugjeruar se përmes operacionit ushtarak është synuar t’iu tregohet edhe rusëve për situatën e luftës së nisur prej Moskës. Inkursioni në Kursk përbën pushtimin e parë të huaj të territorit rus prej Luftës së Dytë Botërore.

Kievi e disa aleatët të tij kanë argumentuar së fundmi se mbështetësit perëndimorë të ndihmës ushtarake, artilerisë dhe armëve të tjera duhet të heqin kufizimet, që të mundësojnë shfrytëzimin e tyre për sulme më thellë territorit rus.

I pyetur nëse Ukraina do të tentojë të zaptojë më shumë territor rus, Zelensky tha përgjatë intervistës se nuk mund të japë më shumë hollësi.

Zyrtarët ukrainas në Kiev dhe në disa rajone të tjera në Ukrainë raportuan për sulme raketore e me dronë, të nisura prej mesnatës deri sot në mëngjes. Si pasojë e tyre u vranë të paktën shtatë persona. Për sulmet e reja mësohet vetëm një ditë pas goditjeve më vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, prej nisjes së luftës, në vitin 2022. Të paktën 51 vetë mbetën të vrarë në një qendër ushtarake të trajnimit në rajonin qendror të shtetit.

Drejtuesit e administratave ushtarake në Kiev e Lviv, në lindje, si dhe një zyrtar në Krivih Rih kanë paralajmëruar se disa raketa lundruese u detektuan kur u hodhën drejt qendrave të populluara. Shpërthimet u dëgjuan në tre qytete të Ukrainës.

Në Lviv, shefi i administratës ushtarake, Maksym Kozytskiy bëri të ditur se tre persona janë vrarë dhe të paktën 25 të tjerë mbetën të plagosur. Në Krivih Rih, në qendër të Ukrainës, politikani vendas Oleksandr Vilkul deklaroi se pesë persona janë plagosur, por asnjë prej tyre nuk është lënduar rëndë.