Bota

Zelensky: Fundi i luftës me Rusinë varet nga vendosmëria e aleatëve!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk ka dyshime se përfundimi i luftës me Rusinë varet nga “vendosmëria” e aleatëve perëndimorë të Kievit në sigurimin e armëve të nevojshme. Ai vazhdon të theksojë se “Perëndimi duhet ta lejojë Ukrainën që t’i përdorë armët e fuqishme për të goditur thellë brenda Rusisë”, veprim që në fakt kundërshtohet nga Uashingtoni. Presidenti ukrainas vuri në dukje se takimet që javën e ardhshme do të ketë në Shtetet e Bashkuara mund të jenë “vendimtare” për ndalimin e agresionit rus ndaj vendit të tij dhe përfundimin e luftës.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se Rusia po planifikon sulme ndaj objekteve bërthamore të Ukrainës në prag të dimrit. Kryediplomati ukrainas, Andriy Sybiha, iu bëri thirrje vendeve aleate dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike, që të krijojnë misione të përhershme vëzhgimi në centralet bërthamore të Ukrainës. Në një postim në X, shkroi:

Sipas organeve ukrainase të zbulimit, Kremlini po përgatitet të sulmojë objektet kritike të energjisë bërthamore të Ukrainës përpara dimrit. Në veçanti ka të bëjë me nënstacionet e transmetimit të energjisë elektrike, kritike për funksionimin e sigurt të centralit bërthamor.

Por nuk dha detaje se përse Kievi beson në përgatitjen e sulmeve të tilla. Deri tani nuk ka patur reagime nga Moska. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, bëri thirrje për një përgjigje të shpejtë globale ndaj kërcënimit të supozuar rus për sulme ndaj një objekti bërthamor. Në Telegram, ai shkroi:

Kjo është përgatitje për një skenar të mundshëm fatkeqësie bërthamore. Rusia është terroriste!

Rusia ka ndërmarrë një fushatë të gjerë bombardimesh të rrjetit elektrik të Ukrainës që nga vjeshta e vitit 2022. Sulmet ruse kanë dëmtuar ose shkatërruar pjesën më të madhe të kapaciteteve prodhuese të energjisë termike. Madje, bombardimet ruse kanë goditur edhe diga, por predhat e saj ende nuk kanë vënë në shënjestër centralet bërthamore të kontrolluara nga Ukraina.

Në vitin 2022, Ukraina e akuzoi Rusinë për shantazh bërthamor pasi forcat e Kremlinit pushtuan centralin bërthamor Zaporizhja, më i madhi në Europë. Moska zyrtare e ka hedhur poshtë akuzën.