Bota

Zelensky: E shkëlqyer biseda telefonike me Trump-in pas fitores!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ka zhvilluar një telefonatë “të shkëlqyer” me Donald Trump-in, pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Ne ramë dakord të ruajmë një dialog të ngushtë dhe të avancojmë bashkëpunimin tonë. Udhëheqja e fortë dhe e palëkundur e SHBA-ve është jetike për botën dhe për një paqe të drejtë, shkroi Zelensky në X. Fushata e tij e jashtëzakonshme e bëri të mundur këtë rezultat. Unë vlerësova familjen dhe ekipin e tij për punën e tyre të madhe.

Zelensky ishte ndër të parët që uroi Trump-in për fitoren e zgjedhjeve. Ukraina është shumë e varur nga ndihma amerikane në mbrojtjen e saj kundër Rusisë. Trump premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore se do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në një kohë shumë të shkurtër.

Edhe presidenti kinez, Xi Jinping uroi Donald Trump-in për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim dhe jo për konfrontim.

Historia ka treguar se Uashingtoni dhe Pekini fitojnë nga bashkëpunimi dhe humbasin nga konfrontimi, tha Xi, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve “Hsinhua”. Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e shëndetshme midis Pekinit dhe Uashingtonit është gjithashtu ajo që pret komuniteti ndërkombëtar. Kina shpreson që dallimet e opinioneve do të menaxhohen siç duhet dhe bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm do të zgjerohet.

CNN raportoi se Trump dhe Xi biseduan në telefon. Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA-ve dhe Kinës janë të tensionuara. Uashingtoni ka bërë akuza serioze kundër Pekinit, duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut, praktikat e padrejta tregtare dhe pretendimet e paligjshme territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Nga ana tjetër, Pekini zyrtar i akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një pengim të qëllimshëm të zhvillimit të tyre ekonomik me sanksione e tarifa, si dhe për ndërhyrje në punët e tij të brendshme si një fuqi hegjemoniste. Donald Trump pati miratuar një qëndrim të ashpër ndaj Kinës gjatë mandatit të tij të parë në detyrë. Gjatë fushatës zgjedhore, ai paralajmëroi se do të vendoste tarifa të mëtejshme për produktet kineze, të cilat mund të kishin një ndikim masiv në tregtinë botërore.