Bota

Zelensky do t’iu prezantojë aleatëve “Planin e fitores”!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të prezantojë “Planin e fitores” të Kievit, gjatë takimit të radhës me aleatët perëndimorë e që do të mbahet në Gjermani.

Ne do të prezantojmë planin e fitores, hapa të qartë dhe specifikë për përfundimin e drejtë të luftës”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale ditën e sotme, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës nga Rusia e që vijon prej shkurtit të vitit 2022.

Takimi i 25-të i mbi 50 aleatëve dhe partnerëve, që njihet si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, do të mbahet në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani më 12 tetor, pra të shtunën e ardhshme. Duke iu referuar strategjisë si “paqe përmes forcës”, Zelensky vuri në dukje se “plani i fitores parashikon edhe forcimin e nevojshëm të Ukrainës”.

Presidenti ukrainas u shpreh se Kievi sa ka nisur diskutimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin mbështetës kryesor të Ukrainës gjatë luftës dhe shtoi se “ne do të përfshijmë të gjithë partnerët”.

Numri një i shtetit nisi të përmendte “planin për paqe” të Ukrainës në muajin gusht e më pas njoftoi se dokumenti ishte pothuajse gatie përmbante “katër pika kyçe dhe një që duhet të zbatohet pas luftës”.

Gjatë vizitës në Uashington muajin e kaluar, ai ia prezantoi planin presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit: zv.presidentes demokrate, Kamala Harris e ish-presidentit republikan, Donald Trump. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit pati thënë se plani përmbante “një numër hapash produktivë”.

Shumë pak dihet lidhur me dokumentin në fjalë. The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë ka raportuar se ata thanë se “në thelbin e tij, plani është një kërkesë e ripërtërirë për më shumë armë dhe kërkesës që shtetet që i kanë dhuruar Kievit armë me rreze të gjata, ta lejojnë Ukrainën që t’i përdorë ato për të sulmuar më thellë brenda territorit rus”.

Gjatë takimit të aleatëve të Ukrainës në Gjermani, Zelensky pritet që sërish të takohet me homologun Biden.