Bota

Zelensky: 100 vende do të marrin pjesë në Samitin për Paqe në Zvicër!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u takua me liderë të disa vendeve, sot në Singapor, në prag të samitit vjetor të sigurisë Shangri-La Dialogue, ku kërkoi mbështetje ndërkombëtare para konferencës për paqe që do të mbahet në Zvicër këtë muaj.

Zelensky tha se më shumë se 100 vende dhe organizata janë zotuar se do të marrin pjesë në takimin dy ditor për paqe në Zvicër, në datat 15 dhe 16 qershor. Rusia nuk ka marrë pjesë në aktivitetin e Singaporit që nga koha kur nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, ndërsa Kina ka thënë se nuk do të marrë pjesë.

Zelensky, si dhe ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, u takuan në Singapor për më shumë se një orë me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin. Kjo pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtë javë, për ta lejuar Kievin që t’i godasë objektivat brenda Rusisë në mënyrë të kufizuar.

Një zyrtar i Pentagonit u shpreh se Austin e “ritheksoi përkushtimin e SHBA-ve për mbështetje të fuqishme” për Ukrainën dhe se të dyja palët u zotuan “për ta përforcuar partneritetin strategjik në mbrojtje”.

Presidenti ukrainas u takua edhe me presidentin e zgjedhur indonezian, Prabowo Subianto, i cili në të njëjtin samit, vitin e kaluar pati propozuar një plan indonezian për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Zelensky deklaroi:

Eshtë e rëndësishme për ne që të fillojmë vendosjen e paqes së drejtë. Rusia nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Prandaj, ne duhet të punojmë së bashku e patjetër me të gjithë botën për ta sjellë paqen më afër nesh.

Së fundmi, Zelensky tha se ai nuk i beson presidentit rus Vladimir Putin, pas raportimeve se Bashkimi Europian po mendon të organizojë bisedime për paqe me Rusinë. Presidenti ukrainas deklaroi edhe se vendi i tij ka mbajtur rreth 200 raunde bisedimesh me Kremlinin, shumë kohë para se Rusia të fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Por, ato nuk dhanë asnjë fryt.

Kina, vend që ka thënë se dëshiron paqe në Ukrainë, por i ka forcuar marrëdhëniet me Moskën prej kohës kur filloi pushtimi rus, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në samitin zviceran.