Bota

Zelenksy: Situatë e vështirë në frontin lindor të Ukrainës!

Forcat e armatosura ukrainase janë nën presion të madh nga sulmet ruse në lindje të vendit, deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij me video drejtuar kombit.

Situata rreth Pokrovskit, në rajonin e Donetskut, në veçanti është analizuar tërësisht nga udhëheqja ushtarake. Kjo zonë ishte dhe vazhdon të jetë fokusi i sulmeve ruse. Gjithçka duhet bërë për të forcuar pozicionet e mbrojtjes së Ukrainës në rajon.

Zelensky shprehu “vlerësim të veçantë” për të gjitha njësitë që sulmuan bazat dhe logjistikën ruse në territoret e pushtuara, pa përmendur ndonjë njësi specifike.

Pushtuesi duhet ta ndjejë se kjo është tokë ukrainase.

Duke cituar burime ushtarake në Kiev, mediat ukrainase raportuan një sulm me raketa në një aeroport ushtarak në Krime, gadishulli i Detit të Zi, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Fillimisht nuk u dhanë detaje për ndikimin e sulmit. Ministria e Mbrojtjes në Moskë, nuk komentoi.

Forcat ruse kanë shënjestruar dhjetëra objekte në rajonin jugor ukrainas të Hersonit. Një dron  goditi një autoambulancë duke plagosur shoferin. Forcat e Moskës hodhën të paktën një raketë lundruese dhe 11 dronë të tjerë në katër rajone në Ukrainë. Por, forca ajrore ukrainase pretendoi se të gjithë dronët dhe raketat u rrëzuan.

Më herët, sot Ukraina lëshoi pothuajse 20 dronë ndaj objektivave në rajonet kufitare ruse. Moska pretendoi se ka rrëzuar të paktën 14 prej tyre. Dy persona u plagosën në rajonin e Kurskut. Sulmet me dronë dhe ato ajrore nga të dyja palët vijnë në kohën kur forcat ukrainase po përballen me vështirësi që të zmbrapsin trupat e Rusisë në disa lokacione përgjatë vijës së frontit të gjatë prej 1.100 kilometrash.

Me pushtimin rus të Ukrainës që është në muajin e 28-të, numri i viktimave po vazhdon të rritet. Kievi nuk ka publikuar të dhëna të numrit të viktimave apo të plagosurve, edhe pse në muajin shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky tha se të paktën 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë, shifër që vlerësohet të jetë e vogël në krahasim me numrin real të viktimave.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se viktimat ruse, të vrarë dhe të plagosur kalojnë shifrën 500 mijë. Të dhënat e fundit zyrtare të publikuara nga Rusia ishin ato të shtatorit të vitit 2022 kur Moska u shpreh se numri i ushtarëve të vrarë ishte 5 mijë e 937.