Food & Drink Health & Beauty

Zbuloni ushqimin më të rrezikshëm për zemrën!

Një studim global i udhëhequr nga shkencëtarët e Universitetit McMaster ka zbuluar lidhjen mes konsumit të mishit të përpunuar dhe rrezikut më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare. Rezultatet, të publikuara në “American Journal of Clinical Nutrition”, janë bazuar në të dhënat e 134,297 individëve nga 21 vende të ndryshme, që janë ndjekur për gati një dekadë për të analizuar lidhjen midis dietës dhe shëndetit kardiovaskular.

Studimi tregon se ata që konsumonin më shumë se 150 gram mish të përpunuar në javë kishin një rrezik 46% më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe një rrezik 51% më të lartë të vdekjes në krahasim me ata që nuk konsumonin mish të përpunuar. Nga ana tjetër, konsumimi i mishit të papërpunuar në sasi të moderuara nuk tregoi efekte negative në shëndet.

Romaina Iqbal, autore e studimit dhe profesoreshë në Universitetin Aga Khan në Pakistan, shpjegoi se studimi synonte të kuptonte më mirë ndikimin e mishit të kuq të papërpunuar, mishit të shpendëve dhe mishit të përpunuar në shëndetin kardiovaskular dhe vdekshmërinë. Ajo theksoi se përmbajtja e mishit të papërpunuar në një dietë të shëndetshme nuk ka treguar dëm, përkundrazi, mund të jetë e sigurta në nivele të moderuara.

Studimi “Prospective Urban Rural Epidemiology” (PURE), që ka nisur në vitin 2003, është i pari që ofron të dhëna për lidhjen midis mishit të përpunuar dhe të papërpunuar dhe sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë një gamë të gjerë vendesh me nivele të ndryshme të të ardhurave. Studiuesit shpresojnë që këto rezultate do të ndihmojnë në zhvillimin e njohurive të mëtejshme mbi ndikimin e konsumit të mishit në shëndet, për të ofruar këshilla më të qarta për dietat e shëndetshme.