Ceremonia e ardhshme e Golden Globes do të prezantohet nga Nikki Glaser. Komediania e njohur do të prezantojë edicionin e 82-të që do të mbahet në janar. Me anë të një deklarate ajo tha se:
Jam shumë e emocionuar që do të prezantoj Golden Gloves. Është një nga netët e mia të preferuara të televizionit dhe tani kam një vend në rreshtin e parë (në fakt, më duhet të prezantoj nga skena). Golden Globes nuk është vetëm një natë e madhe për televizionin dhe filmin, por edhe për komedinë. Është një nga herët e pakta kur biznesi i spektaklit jo vetëm e lejon, por edhe e nxit ngacmimin (të paktën shpresoj). Është një detyrë emocionuese dhe sfiduese sepse është drejtpërdrejt, e paparashikueshme dhe përpara yjeve më të mëdhenj të Hollywood (që mund të dehen teksa janë ulur ngjitur me ish-in).
Glaser shtoi se shpreson të vijojë traditën e shakave në monologun hapës. Glaser e ka treguar veten në zhanrin e “stand-up comedy” dhe është nominuar për Emmy. Ajo u konsiderua si komediania më e mirë në projektin e Netflix, “The Roast of Tom Brady”. Hera e fundit kur ceremonia e Golden Globes u konsiderua e suksesshme në aspektin e prezantimit ishte në vitin 2021 kur u drejtua nga Tina Fey dhe Amy Poehler.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA ka njoftuar se çmimet Oscars do të mbahen më 2 mars 2025 një javë më parë se shfaqja e 10 marsit të këtij viti. Ceremonia e 97-të e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Teatrin Dolby në Los Angeles dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin televiziv amerikan ABC.
Afati i fundit i paraqitjes për kategoritë e përgjithshme të hyrjes është e enjte, 14 nëntor 2024. Votimi paraprak për listat e ngushta në dhjetë kategori do të zhvillohet nga data 9 deri më 13 dhjetor, ndërsa rezultatet do të shpallen më 17 dhjetor 2024. Votimi për nominimet është caktuar në datat 8-12 janar dhe shpallja zyrtare do të bëhet më 17 janar 2025. Ndërkohë që ceremonia e Golden Globes 2025, e konsideruar si një pararendëse e Oscars, do të mbahet më 5 janar.