Libri i kujtimeve të ish-kancelares gjermane Angela Merkel me titull “Freedom. Memories 1954 – 2021″ do të publikohet në fund të nëntorit, tre vjet pas përfundimit të mandatit të saj 16-vjeçar. Merkel, e cila drejtoi Unionin Kristiandemokrat (CDU), përballoi një sërë krizash gjatë kohës së saj në detyrë, duke përfshirë fluksin e lartë të migrantëve në Evropë në 2015 dhe pandeminë e Covid-19.
Ish-kancelarja e shkroi librin me këshilltaren e saj politike, Beate Baumann. Sipas shtëpisë botuese “Kiepenheuer & Witsch”, libri tregon jetën e Merkelit në dy shtete gjermane 35 vjet në Gjermaninë Lindore komuniste dhe 35 vjet në Gjermaninë e ribashkuar. Në një deklaratë për shtyp, Merkel, e cila lindi në Hamburg në vitin 1954, por e cila u shpërngul në ish-Gjermaninë Lindore me familjen e saj pak më vonë, shpjegoi se çështja e lirisë, në nivel politik dhe personal e ka shqetësuar atë gjatë gjithë jetës.
“Pa demokraci nuk ka liri, nuk ka shtet kushtetues, nuk ka mbrojtje të të drejtave të njeriut”-tha ajo. “Në nivel personal, liri do të thotë të mos ndalosh së mësuari, por të jesh në gjendje të shkosh më tej, edhe pas largimit nga politika”-shtoi Merkel. “Libri do të shfaqet në mbarë botën në mbi 30 vende”-njoftoi shtëpia botuese. Merkel ishte në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës për 16 vjet midis 2005 dhe 2021. Ajo ishte gjithashtu kancelarja e parë grua e Gjermanisë. Rikujtojmë se në vitin 2022 Angela Merkel u nderua me çmimin “Nobel për Paqen 2022”, dhënë nga UNESCO-s, për përpjekjet e saj për të mirëpritur refugjatët.