Shakira është një nga këngëtaret më të famshme të Amerikës Latine. Artistja kolumbiane ka publikuar më shumë se 10 albume. Muajt e fundit, fama e 46-vjeçares ka ardhur veçanërisht për këngët e saj të fundit, ku ajo i ka lënë më shumë se një ‘mesazh’ ish-partnerit të saj, futbollistit Gerard Pique, pas ndarjes së tyre.
Sipas revistës Forbes, pasuria e yllit të muzikës pop e mbledhur ndër vite i kalon 400 milionë dollarë, ndër të cilat janë disa shtëpi luksoze në pjesë të ndryshme të botës. Trilogjia e saj e këngëve të fundit, ‘Te Felicito’, ‘Monotonía’ dhe ‘Session 53’, në të cilën ajo i lë disa mesazhe Gerard Pique, gjithashtu ka gjeneruar mjaft para për të, më shumë se 21 milionë dollarë.
Rikujtojmë, se së fundmi Shakira ka arritur marrëveshje me prokurorin publik spanjoll për të zgjidhur një çështje mashtrimi fiskal, pikërisht kur gjyqi i saj ishte gati të fillonte në Barcelonë. Këngëtarja ka rënë dakord për të paguar një gjobë prej 7.5 milionë eurosh dhe në këmbim do të shmangë rrezikun e burgut.
Shakira akuzohet se nuk ka paguar 14.5 milionë euro në tatimin spanjoll mbi të ardhurat midis viteve 2012 dhe 2014. Si pjesë e marrëveshjes, Shakira pranoi akuzat dhe një gjobë prej 50% të shumës së borxhit, më shumë se 7.3 milionë euro. Prokurorët kishin kërkuar ta burgosnin për tetë vjet dhe ta gjobisnin me 23.8 milionë euro nëse shpallej fajtore.
Vetëm një vit më parë, këngëtarja ishte në Barcelonë ku jetonte me dy fëmijët dhe ish-partnerin e saj, Gerard Pique. Tani, realiteti për të është krejtësisht ndryshe. Ajo vendosi të nis një jetë të re duke u transferuar në Amerikë. Ndërkohë Pique zgjodhi të vazhdojë karrierën e tij në biznes në Barcelonë dhe të vazhdojë me zgjerimin e ‘Kings League’. Ndërkaq, së fundmi në një intervistë për revistën Hola në vendin e saj, Kolumbi, Shakira zbuloi gjithçka rreth jetës së saj të re në Miami.