Qimnoni është një erëz që rrjedh nga bima Cuminum cyminum e cila është vendase në Evropë, Azi dhe Afrikë. Përdoret nga njerëzit në mbarë botën për t’i dhënë shije dhe aromë ushqimit. Shija karakteristike e qimnonit dhe aroma e tij e fortë dhe e ngrohtë janë për shkak të vajrave esencialë që përmban. Përbërësi kryesor i përbërjeve të aromës është kuminaldehidi dhe alkooli i qimnonit.
Përfitimet e tij shëndetësore janë të shumta dhe vazhdimisht në rritje bazuar në kërkimet e disponueshme.
Një studim i vitit 2015 tregoi se marrja e qimnonit në lidhje me një trajtim kundër obezitetit çoi në humbje të konsiderueshme në peshë te pjesëmarrësit pas tetë javësh nga marrja e tij. Një studim tjetër tregoi se gratë mbipeshë dhe obeze që konsumonin 3 g pluhur qimnoni në kos çdo ditë për tre muaj, kishin një ulje të ndjeshme të peshës, perimetrit të belit dhe yndyrës totale të trupit.
Në të njëjtin studim u zbulua se konsumimi i 3 g qimnon në ditë çoi në nivele më të ulëta të kolesterolit total, kolesterolit të keq LDL dhe triglicerideve.
Përfitimet e kësaj erëze me aromën e saj karakteristike nuk ndalen këtu. Një studim i vitit 2017 tregoi se vaji i qimnonit në një dozë prej 50 ose 100 mg pas tetë javëve ndikoi në një reduktim të sheqerit total në gjak, insulinës dhe imunoglobulinës A, shënuesit e kontrollit të diabetit.
Marrja e qimnonit gjithashtu dukej se ishte efektive në luftimin e simptomave të sindromës së zorrës së irrituar, kryesisht dhimbjes dhe fryrjes, sipas një studimi të vogël pilot.