Tech

Zbulohet vlera e aksioneve të mundshme të Sam Altman në OpenAI!

OpenAI po rinovon modelin e tij të biznesit për të tërhequr më shumë investitorë. Ky ristrukturim supozohet se mund të rezultojë në një përfitim të konsiderueshëm financiar për CEO-n Sam Altman. OpenAI, e mbështetur nga Microsoft Corp. planifikon të kalojë nga kontrolli nga një bord jofitimprurës në një strukturë të re. Ky ndryshim synon ta bëjë kompaninë më tërheqëse për investitorët e jashtëm.

Burime të njohura me këtë çështje i thanë Reuters se organizata aktuale jofitimprurëse do të mbajë një pakicë të aksioneve në njësinë e re fitimprurëse. Kjo lëvizje mund të hapë rrugën për një ofertë publike fillestare (IPO) në të ardhmen. Kompania, e lançuar fillimisht si një organizatë jofitimprurëse në 2015, aktualisht po shikon një vlerësim prej 150 miliardë dollarësh.

Në këtë drejtim struktura e re gjithashtu do të lejojë Altman të marrë 7% të kapitalit në OpenAI, duke çuar potencialisht në një pagesë të konsiderueshme. Duke supozuar se vlerësimi prej 150 miliardë dollarësh do të materializohet, aksionet e Altman do të ishin 10.5 miliardë dollarë. Një zëdhënës i OpenAI i tha Reuters se:

Ne mbetemi të fokusuar në ndërtimin e AI nga i cili përfitojnë të gjithë dhe ne po punojmë me bordin tonë për të siguruar që ne jemi më të pozicionuar për të pasur sukses në misionin tonë.

Rikujtojmë se ky ristrukturim pason një vit sfidues për udhëheqjen e OpenAI, duke përfshirë largimin e shkurtër të Altman nëntorin e kaluar dhe largimin e disa drejtuesve dhe studiuesve të profilit të lartë. Ristrukturimi i OpenAI vlerësohet se shënon një ndryshim të rëndësishëm në trajektoren e kompanisë. Madje, kalimi nga një organizatë jofitimprurëse në një subjekt fitimprurës ka ngjallur reagime dhe polemika të ndryshme.

Elon Musk, i cili bashkëthemeloi OpenAI në 2015 dhe u largua në 2018, ka shprehur pakënaqësi me tranzicionin. Musk shprehu shqetësime për ligjshmërinë e këtij ndryshimi. Duke shtuar kompleksitetin, Shefja e Teknologjisë e OpenAI, Mira Murati dha dorëheqjen, duke përmendur dëshirën për të eksploruar mundësi të reja. Largimi i saj pason largimin e disa anëtarëve të profilit të lartë, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e kompanisë.