Fatkeqësisht ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare DJ Stephen “tWitch”. Stephen Boss ishte i njohur si DJ i spektaklit shumë të shikuar “Ellen DeGeneres Show”. Sipas asaj që raportojnë mediat amerikane mësohet se 40-vjecari ka kryer vetëvrasje. Ai u gjet i pajetë rreth orës 11:25 të mëngjesit të së martës në periferi të Los Anxhelosit.
Boss u bë i njohur kur doli i dyti në konkursin e kërcimit “So You Think You Can Dance” në 2008. Ai më vonë do të kthehej sërish në program por këtë herë si anëtar jurie. Moderatorja Ellen DeGeneres e solli atë si DJ në programin e saj të dashur në vitin 2014, një punë që ai e mbajti derisa shfaqja u mbyll këtë vit.
Boss ishte gjithashtu bashkëproducent i programit të njohur. Gruaja e tij Allison në një deklaratë emocionuese shkroi:
Me zemër të rënduar duhet t’ju informoj që burri im Stephen na la. Stefani ndriçoi çdo dhomë ku hynte. Ai vlerësonte familjen, miqtë dhe komunitetin mbi të gjitha dhe udhëheqja me dashuri dhe dritë ishte gjithçka për të. Ai ishte shtylla kurrizore e familjes sonë, bashkëshorti dhe babai më i mirë dhe një frymëzim për fansat e tij. Të thuash se ai la një trashëgimi do të ishte një nënvlerësim dhe ndikimi i tij pozitiv do të vazhdojë të ndihet. Jam i sigurt se nuk do të kalojë një ditë që nuk do të nderojmë kujtimin e tij. Ne kërkojmë privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë për mua dhe veçanërisht për tre fëmijët tanë. Stefan, ne të duam, na mungon dhe unë gjithmonë do ta ruaj kërcimin e fundit për ty.