Sport

Zbulohet shifra që Tirana përfiton nga transferimi i Ernest Muçit…

Turqia është ndalesa e radhës në karrierën e Ernest Muçit sepse dje, në ditën e fundit të merkatos për këtë kampionat, iu bashkua gjigantëve të Beshiktashit. Muçi u transferua për 10 milionë euro që i kalojnë Legias. Ka qenë vetë presidenti i Beshiktashit Hasan Arat që ka udhëtuar drejt Varshavës me avion privat për të marrë Ernest Muçin. Futbollisti i Kombëtares shqiptare firmosi një kontratë 3 vite e gjysmë dhe do të përfitojë rreth 1.8 milionë euro në vit si rrogë.

“Është arritur një marrëveshje me të dhe klubin e tij në lidhje me transferimin e futbollistit profesionist Ernest Muçi. Një tarifë totale e transferimit prej 10,000,000 Euro do t’i paguhet klubit të Legia Varshavës. Me lojtarin është arritur marrëveshje për 3.5 sezone deri në fund të sezonit 2026-2027. Përveç kësaj, 10% e fitimit neto nga shitja e radhës do t’i paguhet klubit të tij të mëparshëm si tarifë transferimi”, ishte njoftimi zyrtar i Beshitashit. Në vitin 2021 Tirana e shiti te Legia e Varshavës Ernest Muçin për 500 mijë euro. Sulmuesi ishte lojtar shumë i talentuar dhe për këtë bardheblutë ruajtën 10 % në kontratë për shitjen e radhës dhe tani, pas tri vitesh do të përfitojnë 1 milionë euro nga kalimi i sulmuesit te Beshiktashi.

Muçi do të jetë menjëherë gati që në ndeshjen e radhës dhe do të mbajë në fanellë numrin 23. Ndërkaq, te skuadra e Beshiktashit do të gjejë edhe Milot Rashicën. Muçi qëndroi për tri vite në Poloni ku luajti për 114 ndeshje dhe shënoi 21 gola. Në ndeshjet e grupit në Ligën e Konferencës, 22- vjeçari tregoi klasin e tij në përballjet me Aston Vilën, ku iu shënoi 3 gola. Në aventurën e re, Muçi do të vihet nën urdhrat e Fernando Santosit, ish-trajnerit të Polonisë që u shkarkua pas humbjes me Shqipërinë në kualifikuese dhe që tani drejton Beshiktashin. Ernesti bëhet transferimi i tretë më i shtrenjtë nga kuqezinjtë pas Kumbullës dhe Asllanit.