Bota Botë e Çuditshme

Zbulohet një planet shkëmbor i ngjashëm në madhësi me Tokën!

Një planet shkëmbor i ngjashëm në madhësi me Tokën rrotullohet rreth një prej yjeve më të zakonshëm në Rrugën e Qumështit, i zbehtë dhe i ftohtë, 55 vite dritë larg. Planeti quhet ‘’Speculoos-3 b’’, i quajtur sipas projektit Speculoos, një rrjet teleskopësh aktiv në të dy hemisferat. Studimi u drejtua nga Universiteti belg i Lièges, me astronomin Michaël Gillon dhe u krye në bashkëpunim me Universitetet e Birminghamit, Kembrixhit, Bernës dhe Institutit të Teknologjisë në Massachusetts.

Qëllimi i projektit është kërkimi i planetëve jashtë Sistemit Diellor dhe që rrotullohen rreth yjeve ultra të ftohtë, më të zakonshmit në galaktikën tonë. Planeti’’ Speculoos-3 b’’ merr rreth 17 orë për të përfunduar një orbitë të yllit, i cili është dhjetë herë më pak masiv se Dielli ynë, 100 herë më i zbehtë dhe më shumë se dy herë më i ftohtë. Yjet ‘’xhuxhë’’ ultra të ftohtë përbëjnë rreth 70% të yjeve në Rrugën e Qumështit, por zbulimi i tyre është i vështirë sepse ato janë shumë të zbehta.

Për këtë arsye u promovua projekti ‘’Speculoos’’ (Search for Planets EClipsing ULtra-coOl Stars). Falë tij, në vitin 2017 teleskopi Trappist zbuloi sistemin e parë të shtatë planetëve shkëmborë të ngjashëm me Tokën, disa prej të cilëve janë potencialisht të banueshëm. “Zbulimi i Speculoos-3 tregon se rrjeti ynë global po funksionon mirë dhe është gati të zbulojë botë të tjera shkëmbore që rrotullohen rreth yjeve me masë shumë të ulët”-theksoi Amaury Triaud, nga Universiteti i Birminghamit.

Rikujtojmë se së fundmi është zbuluar një planet në zjarr, i mbuluar nga shumë vullkane aktive dhe shpërthime llave. Është një planet shkëmbor pak më i madh se Toka që rrotullohet rreth yllit të quajtur HD 104067, rreth 66 vite dritë larg dhe tashmë i njohur si strehues i një planeti gjigant, i përshkruar në ”The Astronomical Journal”, planeti inkandeshent i cili u identifikua falë të dhënave nga teleskopi hapësinor Tess nga grupi i Stephen Kane, nga Universiteti i Kalifornisë në Riverside.