Bota

Zbulohet nga kamerat e sigurisë kampionia ruse e shahut e cila tenton të helmojë kundërshtaren e saj!

Një kampione ruse e shahut, e cila tentoi të helmonte një kundërshtare gjatë kampionatit të shahut të Dagestanit, që u mbajt në Makhachkala në fillim të gushtit, po përballet me tre vjet burg. Pamjet e kapura nga një kamera sigurie tregojnë 40-vjeçaren Amina Abkarova duke hyrë në sallën ku do të mbaheshin lojërat. Gruaja shihet duke parë disa lista në një stol dhe pasi sigurohet që fusha është e pastër, i afrohet një prej tabelave të shahut tashmë të vendosura.

Pasi hodhi një vështrim përreth për t’u siguruar që asnjë nga të paktët në dhomë nuk po e shikonte, ajo nxjerr diçka nga çanta. Më pas ajo shihet teksa derdh një substancë mbi tavolinë dhe largohet. Objektivi i Abkarova, sipas mediave ndërkombëtare, ishte 30-vjeçarja Umayganar Osmanova, e cila pasi u ul në tavolinën e shahut shfaqi përkeqësime të shëndetit. Ky veprim i 40-vjeçares doli në dritë pasi një gjyqtar i garave raportoi në polici për gjendjen e çuditshme të Osmanovas, duke bërë që të kontrolloheshin kamerat e sigurisë.

Abkarova më vonë pranoi para autoriteteve se kishte thyer një termometër në tavolinën e shahut të 30-vjeçares dhe kishte derdhur merkur mbi të. Madje, ajo dyshohet se u përpoq të justifikonte aktin e saj duke thënë se Osmanova ishte ajo që nisi sherrin mes tyre, pasi në një turne të mëparshëm kishte ofenduar atë dhe familjen e saj. Abkarova fitoi kampionatin rajonal të shahut të Kaukazit vitin e kaluar dhe punon si trajnere shahu në një shkollë në Makhachkala.