Bota

Zbulohet metoda e re për identifikimin e përdhunuesve!

Analizimi i baktereve që shkëmbehen gjatë seksit mes partnerëve mund të përdoret për të identifikuar ata që kryejnë dhunë seksuale. Një studim i fundit i publikuar në “Forensic Science International”, thotë se në bazë të analizës mund të identifikohet saktë përdhunuesi. Ruby Dixon, koordinatore e studimit thotë se:

Ideja është që në të ardhmen, të jemi në gjendje të analizojmë bakteret përmes një tamponi vaginal dhe t’i lidhim ato me një individ të saktë.

Metoda e re e ideuar nga studiuesit bazohet nga kërkimi në trupin e viktimës në atë që është quajtur “sexome”, ADN bakteriale e organeve seksuale. Për të arritur në përfundimet e tyre, studiuesit mblodhën mostra biologjike nga lëkura e organeve seksuale të gjashtë çifteve heteroseksuale, të moshës 22 deri në 30 vjeç, pasi kishin pasur marrëdhënie seksuale.

Sekuenca e gjenomit bakterial bëri të mundur demonstrimin e shkëmbimit të “sexome”, gjurmët e të cilit ishin më të dukshme te çiftet që nuk kishin përdorur prezervativë. Hetimi i krimeve seksuale është gjithmonë i ndërlikuar, por ndonjëherë është edhe më shumë sepse nuk gjenden gjurmë të ADN-së së përdhunuesit. Brendan Chapman, një nga autorët e studimit tha se:

Ne do të duhet të shikojmë se si komunitetet bakteriale ndryshojnë me kalimin e kohës, në përgjigje të ciklit menstrual, higjienës dhe ndoshta faktorëve të tjerë që ne ende nuk i njohim. Sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e një teknike të re që ndoshta do të ndihmojë në veprimtarinë mjeko-ligjore.