Zbulohen detaje të reja lidhur me hetimin e SPAK-ut që çoi në zbulimin e një laboratori kokaine në Qerekë të Fushë Krujës e në arrestimin e 10 personave, mes tyre tre të huaj. Sa i përket 7 shqiptarëve, dyshohet se drejtues të grupit të trafikantëve ishin Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Geis Fejzullai e Klajdi Birçe. Aldi Zonja është djali i gazetarit Artur Zonja e këngëtares së njohur Afërdita Zonja.
Në Amerikën Latine kishte udhëtuar me vizë turistike dhe më pas u bllokua për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjatë qëndrimit atje, 37-vjeçari krijoi njohje me trafikantë droge dhe kështu ngritën skemën e trafikut që do ta çonte në pranga.
Ndërkaq, 25-vjeçari Endi Sejdini rezulton pronari i banesës së përshtatur për laborator droge, në një nga katet e objektit. I riu ka një biznes privat, moblieri në zonë dhe nuk rezulton person me precedentë penalë.
Për nesër, ora 09:30 është caktuar të nisë seanca gjyqësore ndaj 10 të arrestuarve këtë fundjavë, në operacionin antidrogë që çoi në zbulimin e laboratorit të kokainës në Qerekë të Fushë-Krujës. Ngarkesa e ndarë në dy rrugë vinte nga Amerika Latine dhe kishte destinacion Shqipërinë e vendet e Bashkimit Europian.
SPAK-u informoi se lënda narkotike tretej në lëkurë të bagëtive dhe me veçimin e kokainës merreshin dy kimistë venezuelianë e një kolumbian, që janë në mesin e të arrestuarve. Se sa është ngarkesa e kokainës, kjo pritet të llogaritet nga ekspertët e hetimit. Në hetimin penal, bashkë me SPAK-un u përfshinë edhe agjencitë e huaja, mes tyre DEA amerikane.
Duke hapur një kompani për futjen e lëkurëve të gjedhëve, në emër të një shtetasi që nuk rezulton i përfshirë, grupi i trafikantëve fuste ngarkesat. Bashkëpunimin me tre të huajt që do të kryenin nxjerrjen e kokainës, SPAK-u e cilësoi të një niveli të lartë organizimi e që do të realizohej me teknologji të avancuar.
Në kuadër të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 ka zbardhur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine, e kontaminuar dhe më pas e përpunuar dhe trafikuar në Shqipëri dhe në tregun evropian.
Ky hetim deri tani ka çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe tre shtetasve nga Amerika Latine si dhe në zbulimin dhe sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, Fushë Krujë. Po ashtu, janë identifikuar ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.
Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.