Kavanoza të mbyllura me verë nga 5,000 vjet më parë janë zbuluar në varrin e një gruaje që besohet të jetë faraonia e parë femër e Egjiptit. Një ekip gjermano-austriak, i udhëhequr nga arkeologia Christiana Köhler nga Universiteti i Vjenës, po kryente një gërmim të varrit të mbretëreshës Meret-Neith në Abydos, kur zbuluan kavanozët e mëdhenj të verës.
Disa ishin të ruajtura mirë. “Vera nuk ishte më e lëngshme dhe nuk mund të dallojmë nëse ishte e kuqe apo e bardhë”,-tha Kohler në një deklaratë.
“Ne gjetëm shumë mbetje organike, fara dhe kristale rrushi dhe e gjithë kjo aktualisht është duke u analizuar shkencërisht. Është ndoshta dëshmia e dytë më e vjetër e drejtpërdrejtë për verën; edhe më i vjetri vjen nga Abydos”. Megjithëse identiteti i saj i vërtetë mbetet një mister, Meret-Neith ishte e vetmja grua që kishte varrin e saj monumental në varrezat e para mbretërore të Egjiptit në Abydos. Bazuar në mbishkrimet e varreve, studiuesit përcaktuan se ajo ishte përgjegjëse për agjencitë qeveritare si thesari, rreth 3,000 vite para Krishtit.