Incidenti aspak i zakontë që ndodhi mbrëmjen e djeshme mes aktorit të njohur Will Smith dhe komedianit Chris Rock mori vëmendjen e të gjitha mediave dhe të pranishmëve në edicionin e 94-rt të çmimeve ‘Oscar 2022’. Aktori dy herë fitues i çmimit ‘Oscar’, Denzel Washington u pa teksa po ngushëllonte Will pasi aktori goditi prezantuesin në fytyrë. Gjatë fjalimit të tij, Will zbuloi atë që Uashingtoni i kishte thënë gjatë pushimit të reklamës:
Ki kujdes në momentin tënd më të mirë… atëherë djalli vjen për ty.
Rock bëri një shaka në lidhje me modelin e flokëve të gruas së Smith, Jada Pinkett Smith por Jada për ata që nuk e dinë vuan nga alopecia dhe shakaja e bërë nga prezantuesi nuk u prit aspak mirë. Smith, 15 minuta më vonë fitoi çmimin si aktori më i mirë për filmin ‘King Richard’, dhe kërkoi falje për veprimin e tij agresiv. Ai ndërkaq citoi këto fjalë:
Në këtë kohë të jetës sime, në këtë moment jam i mbingarkuar nga ajo që Zoti po më thërret të bëj.
Vlen të theksojmë se edhe aktori Bradley Cooper ka ngushëlluar Smith-in disa momente pas incidentit. Will dukej i tronditur dhe i mërzitur teksa po ngushëllohej nga aktori Cooper. Kjo ngjarje që ndodhi u bë menjëherë virale dhe ishte aktorja e njohur Nicole Kidman e cila me reagimin e saj është bërë meme në rrjetet sociale. Një foto e 54-vjeçares që dukej e tronditur në shfaqjen e çmimeve u bë shpejt virale në Twitter, me fansat që komentuan se reagimi i saj ishte universal.
Ndërkaq, sjellim në vëmendje se tapeti i kuq u rikthye më magjik se kurrë. Ndërsa vitin e kaluar u pa një version i shkurtuar i ngjarjes për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë, këtë vit e gjithë shkëlqimi dhe magjepsja u rikthye në këtë cep të Hollivudit. Me Andrew Garfield, Kristen Stewart, Jessie Buckley, Billie Eilish, Lily James, Zoë Kravitz dhe Mila Kunis moda nuk zhgënjeu. Ne në këtë artikull ju njohim me çiftet e veshur më mirë në ‘Oscars 2022’.