Liverpuli është përzgjedhur si qyteti pritës për edicionin e 67-të të Eurovision, pas një gare të ngushtë me Glasgow-n. Finalja e Madhe e “Eurovision Song Contest 2023” do të zhvillohet në “Liverpool Arena” më 13 maj, teksa gjysmëfinalet do të mbahen të më 9 maj dhe 11 maj. Kujtojmë se sipas rregullit, festivali duhet të organizohej në Ukrainë, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të situatës atje. Ukraina u shpall fituese e “Eurovizion Song Contest 2022” me 631 vota. Grupi Kalush Orchestra me këngën “Stefania” arritën të fitonin me votat e publikut, duke lënë në vend të dytë Britaninë e Madhe.
Me këngën “Duje” Albina dhe Familja Kelmendi do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023. Mbrëmë në finalen e edicionit të 61-të të Festivalit të Këngës në RTSH, morën votat maksimale nga publiku, për ta dërguar “logon” e Shqipërisë në skenën e madhe të këngës së Europës. Gjithashtu, Albina dhe Familja Kelmendi fituan çmimin e dytë, në vlerësimin e jurisë profesioniste. Sipas shortit të hedhur pak orë më parë, Shqipëria, e përfaqësuar nga artistja, do të performojë në pjesën e dytë të gjysmëfinales së dytë të Eurovision 2023. Siç e lartpërmendëm, performanca e saj pritet të zhvillohet më datë 11 maj 2023.
Slogani i këtij viti për Eurovision-in, që do të mbahet në Liverpul, do të jetë “Të bashkuar nga Muzika.” Kurse, logoja për këtë vit shfaq disa zemra që rrahin në unison. Ngjyrat mbizotëruese të logos janë bluja dhe e verdha, njëlloj si flamuri i Ukrainës. Sipas BBC, slogani i këtij viti reflekton origjinën e këtij kompeticioni të këngës që u krijua fillimisht si një mënyrë për të bashkuar Europën në një vend.
https://twitter.com/Eurovision/status/1620102591471558663?cxt=HHwWjoDRhaWu4fssAAAA