Një tunel i zbuluar kohët e fundit nën tempullin antik të Taposiris Magna në Egjipt, mendohet se mund të çojë drejt varrit të humbur të faraones së fundit, Kleopatrës. Tuneli i krijuar në shkëmb, e që konsiderohet një “mrekulli gjeometrike”, shtrihet për më shumë se 1.4 kilometra, është dy metra i lartë dhe thuhet se i ngjan tunelit të mrekullueshëm të Eupalinos, i cili kalon malin Kastro në Samos, Greqi.
Arkeologia Kathleen Martinez e Universitetit të San Domingos ka qenë e bindur për më shumë se një dekadë se Kleopatra dhe i dashuri i saj, Marc Antony, u varrosën në tempull dhe tuneli mund të jetë mënyra për të mbërritur tek varret e tyre. Martinez i tha Heritage Key se ekziston një mundësi që mbretëresha legjendare të prehet atje. Nëse rezulton kështu vërtet, ky sipas saj mund të jetë zbulimi më i rëndësishëm i shekullit të 21-të.
Ekspertja beson se pasi Marc Antony kreu vetëvrasje sepse u mund nga Oktaviani, Kleopatra hartoi një plan që të varroseshin të dy atje. Pastaj edhe Kleopatra kreu vetëvrasje më 12 gusht 30 para Krishtit, ndoshta nga kafshimi i një gjarpri helmues. Kathleen Martinez tha për National Geographic se:
Kleopatra negocioi me Oktavianin për ta lejuar atë të varroste Mark Antonin në Egjipt. Ajo donte të varrosej me të për të ringjallur legjendën e Isis dhe Osiris. Kuptimi i vërtetë i kultit të Osiris është arritja e pavdekësisë. Pas vdekjes së tyre, perënditë do të kishin lënë Kleopatrën dhe Antonin të udhëheqnin një formë tjetër ekzistence, kështu që ata do të kishin qenë së bashku përgjithmonë.
Rikujtojmë, se Kleopatra lindi në vitin 69 para Krishtit dhe mbretëroi midis viteve 51 para Krishtit dhe 30 pas Krishtit. Ajo u ngjit në fron pas vdekjes së të atit, Ptolemeu XII dhe për të rritur ndikimin mbi popullin egjiptian, u vetëshpall e bija e Ra, perëndisë egjiptiane të diellit dhe e bija e perëndeshës Isis. Historia e dashurisë mes Kleopatrës dhe Mark Antonit ka qenë temë e shumë veprave të artit dhe bukuria e mbretëreshës është bërë legjendare.