Roveri kinez Zhurong ka zbuluar gjurmët e fundit të ujit në planetin e kuq. Falë eksplorimeve të tij, gjurmë uji u gjetën në disa duna rëre që datojnë nga një periudhë midis 1.4 milionë vjet dhe 400 mijë vjet më parë. Dihet që Marsi, sipas një numri të madh kërkimesh, zotëronte sasi të mëdha uji të lëngshëm në miliarda vjetët e tij të parë, por kohët e fundit gjurmët e ujit janë zbuluar pranë zonave ekuatoriale.
Roveri Zhurong, i cili është pjesë e misionit Tianwen-1 të Agjencisë Hapësinore Kineze dhe u nis në korrik 2020, u ul në skajin jugor të Utopia Planitia në vitin 2021. Qin Xiaoguang, kreu i projektit dhe kolegët e tij kanë vëzhguar gjurmë “të fundit” të ekzistencës së ujit në strukturat e pranishme në duna, në kore, çarje dhe kreshta. Sipas autorëve, shkaku i këtyre strukturave morfologjike ishte avullimi i ujit të lëngshëm.
Uji do të ishte krijuar nga shkrirja e ngricave ose shiut që binte mbi duna. Pavarësisht temperaturave të ulëta që ekzistojnë në Mars, shkrirja e akullit do të ishte shkaktuar nga kripërat e pranishme me bollëk në shtresat sipërfaqësore të dunave dhe të zbuluara nga analizat spektrale të roverit kinez, por edhe nga roverët e tjerë. Kjo është prova e parë vëzhguese për ekzistencën e ujit të lëngshëm në gjerësi të ulëta gjeografike marsiane, ku temperaturat e sipërfaqes janë relativisht më të ngrohta dhe më të përshtatshme për jetë sesa në gjerësi të larta.
Së fundmi, Nasa ka prezantuar një shtëpi të zakonshme me katër dhoma dhe një zonë sportive. Nëse mendoni se kjo shtëpi do të jetë në Tokë e keni shumë gabim. Duke filluar nga qershori, katër persona do të mbyllen në të për më shumë se një vit dhe do të tentojnë një jetësë në Mars. Rezidenca, e quajtur Mars Dune Alpha, ndodhet në qendrën kërkimore të agjencisë amerikane të hapësirës në Hjuston, Teksas. Ata që do të banojnë në shtëpi do të ndihmojnë në përgatitjen e një misioni të ardhshëm në planetin e kuq.