Zbardhet vdekja e biznesmenit Armand Nelaj në Sarandë, i cili humbi jetën më 24 qershor të këtij viti, si rezultat i një shpërthimi në portin e qytetit bregdetar jugor. Hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, çuan në arrestimin e shtetasit Eridion Muho, i dyshuar se me shtetasin Armand Nelaj, 35 vjeç do të vendosnin një sasi eksplozivi në një anije të linjës Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence, por shpërthimi aksidental i mori jetën 52-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Hetime të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 24.07.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën një 52-vjeçar. Si rezultat i veprimeve të thelluara profesionale dhe hetimore, është arrestuar një shtetas i cili dyshohet se bashkë me 52-vjeçarin, do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi, që shpërtheu aksidentalisht duke shkaktuar vdekjen e 52-vjeçarit.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A.N.
Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E.M., 35 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A.N. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.