Policia e Vlorës njofton se ka goditur një tjetër rast të zënies së hapësirës publike në zonat bregdetare. Sipas informacionit zyrtar janë proceduar penalisht tre administratorë subjektesh, të cilët zunë hapësirën rreth 8000 m², në një zonë të mbrojtur në Karaburun, në vendet e quajtura “Zhanpovel” e “Shën Vasil”. Këtë e bënë duke i kthyer në stacion plazhi, bar, si dhe restorant.
Gjatë operacionit, uniformat blu gjetën punonjës të pasiguruar, si dhe evidentuan faktin se ofroheshin shërbime e produkte, pa kupona tatimorë. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 300 shezlongë, ndërsa nisi procdim penal për shtetasit me iniciale K.B., E.Ç. e V.B.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me autoritetet e Inspektorateve Ndërtimore, Drejtorinë e Tatimeve, AKB-në dhe Policinë Bashkiake Vlorë, kanë konstatuar në hapësirën e zaptuar për stacion plazhi, në mënyrë të paligjshme nga këto 3 subjekte, një strukturë druri rreth 500 m², të ndërtuar pa leje, me fushë veprimtarie bar-restorant, si dhe 300 shezlongë të vendosur, të cilët janë hequr, duke liruar hapësirën publike në Karaburun.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në këto subjekte kishte punonjës të pasiguruar, si dhe ofroheshin shërbim e produkte, pa lëshuar kupona tatimorë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë, përfundon njoftimi.