Në Shqipërinë tonë të vogël, nuk kemi fuqinë për të ndërtuar apo për të shpikur raketa, po ne kemi energjinë dhe dëshirën për t’i ndryshuar gjërat dhe ky potencial i madh është tek të rinjtë. Të rinjtë sjellin energji dhe entuziazëm të ri, aftësi për të mësuar zotësi të reja dhe kanë talente të mëdha. Në tri dekadat e fundit çështjet e të rinjve janë parë nën këndvështrimin e problemit, ku rinia është përballur me sfida që erdhën bashkë me demokracinë, si papunësia, pabarazitë, përjashtimi social, problemet e varësisë, etj.
Përmes Youth Power do të tregojmë se rinia është fuqia e një shoqërie dhe pasqyrë e së ardhmes së një vendi. Prandaj është e rëndësishme që zëri i tyre të dëgjohet. Media në përgjithësi nuk adreson emisione politike-sociale-ekonomike-informative për të rinjtë por emisione reality show, të cilat përcjellin më së shumti antivlera ose vlera, jo përfaqësues të të rinjve shqiptar. Ky imazh ka nxitur një opinion pubik kritik ndaj të rinjve të cilët shihen si të papjekur apo si individ të cilët janë të pa interesuar të iniciojnë ndryshim në shoqërinë tonë, por tentojnë të largohen nga vendi me mundësinë më të parë që u parashtrohet.
Youth Power është hapësira që i dedikohet të rinjve që mbartin peshën e ndërtimit të së ardhmes së vendit, që kërkojnë të drejtat e tyre apo të bëhen pjesë e vendim-marrjes dhe politikbërjes, që gjenerojnë ide dhe dëshirë për të revolucionarizuar tregun vendas dhe botëror me shpikjet e tyre teknologjike që bëhen pjesë e garave dhe programeve që mbështesin idetë e reja inovative, që nuk shterrojnë energjitë vetëm për të mbushur kohën e lirë por për t’u përfshirë në veprimtari sociale, për të mundur apatinë sociale, për të sjellë ndryshim lidhur me çështje rinore, për të testuar aftësitë individuale dhe për t’u rritur e ecur përpara. Ndaj, nuk është rastësi që Shqipëria u bë për herë të parë pjesë e një rrugëtimit për të qenë për një vit Kryeqyteti Europian i Rinisë.