“A Live Night” nuk zhgënjeu as në episodin e dytë dhe artisti shumë i dashur Yll Limani dha një intervistë ekskluzive shumë speciale, ku zbuloi jo pak. Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, nuk mbeti pa u përmendur gjatë intervistës, dhe bëhet fjalë pikërisht për “The Voice Of Albania”. Por pse zgjodhi ai të shkonte në këtë show talentesh?! Ja si përgjigjet vetë artisti.
Nuk e kam parë si mënyrë për t’u lansuar në treg, por e kam parë si mënyrë për t’u kënaqur. Nuk e di çfarë mendoja, por thjesht doja të këndoja. Nuk e prisja ndryshimin që erdhi.
Epo duket se pas çdo ylli të madh muzikor fshihet një histori e pabesueshme. Dhe gjërat nuk mund të ishin aspak ndryshe për Yll Limanin, teksa na zbulon se si ndodhi e gjithë pjesëmarrja e tij “The Voice of Albania”.
Kur e kam bërë audicionin në Prishtinë për “The Voice of Albania” ka qenë disa minuta pasi kam parë reklamën dhe ishte ora dhe dita e fundit e audicioneve. Nuk kam bërë një punë shumë të mirë dhe si rrjedhojë informohem nga pjesëmarrësit e tjerë që u kishin telefonuar. Për herë të parë po e zbuloj, i marr në telefon dhe u them jam Yll Limani, kam marrë pjesë në audicion, të gjithë i keni thirrur, ndërsa mua jo. Ata më thanë se janë duke bërë listën finale, nuk më thërrasin përsëri dhe nuk ma hapin. Më pas më marrin dhe më thonë janë zgjdhur 32, por ti je jashtë. Unë kur shkova në “The Voice of Albania” nuk e kisha as emrin, isha i 33.
Epo nuk ndodh gjithmonë ashtu siç e presim, teksa edhe Limani ka zbuluar se çfarë e habiti më së shumti gjatë audicioneve.
Kam bërë një klip prezantues duke u inspiruar nga patetizmat e yjeve të mëdha botërore. Por nuk kam ndonjë traumë të madhe, ndonjë dhimbje. Ideja ishte të këndoja këngën e Ron Pope “A Drop In The Ocean” dhe t’i bëja përshtypje Almës dhe Miriamit. U kthyen Eltoni dhe Sidriti, nuk e prisja. Kur më zgjodhi Eltoni më bëri përshtypje.
Një artist inspirues, Yll Limani frymëzon me mesazhin e tij për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin një rrugë si ai, apo sadopak të ngjashme.
Kam një mesazh për njerëzit që marrin pjesë në show talentesh: është një përshtypje që është krijuar që produksioni i formatit do të të marrë dhe do të të përkëdhelë. Ajo nuk ekziston. Për mua ka qenë një trampolinë. Njerëzit e dinë që ti këndon, por ti e di si e përdor. Unë e kam ndjekur vetë pasionin me forcat e mia.