‘Pardon My French’ këtë episod padyshim kishte të ftuar një prej këngëtarëve tanë që ka ditur më së miri si të ‘rrëmbejë’ zemrat e njerëzve dhe t’i ‘pushtojë’ emocionalisht me këngët e tij. I ftuar në ‘Pardon My French’, Ylli Limani është pak të themi se tregoi shumë për dëgjuesit TAR.
Që në fillim të intervistës, këngëtari na dha një informacion shumë të rëndësishëm lidhur me një projekt të ri që ka të bëjë me Top Media-n.
Do ketë surpriza të bukura shumë shpejt, diçka që lidhet me shtëpinë e madhe të Top Medias në tërësi.
Padyshim që çdo këngë e Yllit është hit dhe lidh njerëzit kaq shumë emocionalist. Por nga e merr frymëzimin për këto projekte kaq të veçanta dhe të ndjera këngëtari?
E kam një studio të vogël në shtëpi dhe jam duke krijuar gjëra. Edhe pse kam bashkëpunëtorë shumë të mirë, kur jam shumë i inspiruar kam qejf të punoj vetëm. Është gënjeshtër kur thonë krijuesit që kënga e mirë vjen vet, unë e kam kuptuar që edhe në disponimin më palidhje të jesh edhe të ulesh të punosh patjetër del diçka e bukur. Ngjarjet edhe lokale edhe botërore ndikojnë, e kam vënë re në pandemic edhe tani gjatë luftës, por gjithsesi ‘show must go on’ .
E padyshim që situata me luftën në Ukrainë është përjetuar nga e gjithë bota, por tek shqiptarët e Kosovës të cilët e kanë përjetuar njëherë dikur padyshim që është tjetër nivel ndjeshmërie. E si ka ndikuar kjo te Ylli, na e tregon vetë ai.
Është e rëndë. Kur ka ndodhur lufta në Kosovë kam qenë shumë i vogël. Përjetimet i kam prej dokumentareve ose intervistave, por e kam vënë re më së shumti te ato që po ndodhin në Ukrainë sa janë rënduar familjarët tanë. Çmenduria e Serbisë në atë kohë i ka kaluar pritshmëritë e gjithë botës. Si kishte shkuar askujt në mendje se do çohej një ditë Rusia dhe do e bënte këtë. Po mendohem ta përjetoj sa më pak.
E lidhur me luftën, përpos gjithë keqardhjes pati diçka që e lidhi Yllin tonë me gjithë ngjarjen. Bëhet fjalë pikërisht për video-n virale ku teksa ushtarët shfaqeshin duke përqafuar të dashurat e tyre për t’u nisur në luftë, kënga e artistit ishte e montuar në video që u shpërnda kudo, madje dhe nga Kourtney Kardashian. Si u ndje Ylli lidhur me këtë?
Jam menduar disa orë a ta postoj apo jo se më dukej që fitova pikë prej një situate të tillë. Kur e pashë këngën ‘Vonë’ që u shpërnda në gjithë botën. Kjo është këngë që ka lindur para 4 viteve.
E Ylli Limani ka qenë padyshim një nga personazhet që ka qenë shumë i lidhur me spektaklin e ‘Big Brother VIP’ jo vetëm sepse ka qenë një ndjekës i rregullt, por edhe sepse nuk është përmendur pak herë nga banorët. Vetëm pak ka që është lançuar kënga e Semi Jaupaj ‘Mos u kthe’, një prodhim ashtu si çdo tjetër super i suksesshëm i artistit. Por, si lindi bashkëpunimi mes dyshes?
Nuk ndodh shumë shpesh që një krijim timin ta këndojnë aq mirë. Me Semin kemi qenë në kontakt ka kohë që para ‘Big Brother VIP’. Po gjithmonë nuk kishte dalë momenti dhe koha e duhur. Normal që ‘Big Brother VIP’ e kam ndjekur shumë me familjen dhe na ka afruar shumë. Nuk e kam njohur shumë mirë por kur e kam parë në ‘Big Brother’ më ka dhënë një energji shumë të mirë, shumë ‘cool’.
Ilir Shaqiri, fitues i ‘Big Brother’ shpesh është shprehur brenda shtëpisë dhe në intervista se do të donte të kishte një bashkëpunim mes Yllit dhe vajzës së tij, Emily. Mund të kemi diçka mes tyre?
E ka një zë tepër të bukur, për bashkëpunim nuk ka diçka konkrete, më shumë do kisha dëshirë të jepja autorësi se për bashkëpunime mund të marrë kohë, muaj e vite ndonjëherë. Unë krijoj tepër rrallë për dikë tjetër, është shumë profesion që nuk ndihem shumë mirë, se ti krijon diçka qe të ka dal prej shpirtit e t’ja japësh dikujt tjetër.
E padyshim që Ylli nuk mund të largohej pa u pyetur për jetën e tij private, a është dikush që e frymëzon atë për të bërë këto këngë kaq të ndjera.
Normalisht që jeta personale ka qenë gjithmonë e mbrojtur hermetikisht, jam i turpshëm për të folur për këtë situatë. Edhe njerëzit janë të lidhur shumë emocionalisht me muzikën time. Po të them që jam në një lidhje dhe bëhet publike, do mendojnë njerëzit që tërë kohën po i shkruaj asaj, prandaj e kam ruajtur gjithmonë. Unë nuk kam hequr prej dashnisë.