Sport

Ylber Ramadani: Faleminderit çdo tifozi për mbështetjen!

Mesfushori i Kombëtares kuqezi, Ylber Ramadani reagoi përmes rrjeteve sociale pas eliminimit të Shqipërisë në fazën e grupeve të “Euro 2024”-ës. Ramadani u shpreh krenar ndërsa theksoi se në Kampionatin Europian të Gjermanisë, Shqipëria ka luajtur tre finale ndaj tre prej ekipeve më të mira në Europë. Ndër të tjera, mesfushori i cili luan për Lecce-n në Serinë A, falënderoi tifozët për mbështetjen e treguar në këtë rrugëtim.

Krenar që jam shqiptar! I lumtur që isha pjesë e Shqipërisë në këtë rrugëtim në finalet e “Gjermani 2024”. Tre ndeshje, tre finale me tre nga ekipet më të mira të Europë, dy prej të cilave janë shpallur edhe kampione Europe dhe Bote. Luajtëm fort, si të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, duke treguar karakter në çdo sfidë. Faleminderit çunave, faleminderit stafit teknik dhe të gjithë stafit drejtues që kanë qenë pranë nesh. Një falenderim të veçantë për tifozët që na kanë mbështetur në stadium, në çdo rrugë e shesh të Gjermanisë, si edhe çdo ditë në kampion tonë stërvitor. Mbi të gjitha falimenderit Zotit. Përjetë: Forca Shqipëri, shkruan Ramadani.

Berat Gjimshiti, kapiteni i ekipit kombëtar të Shqipërisë, foli pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës që solli dhe fundin e rrugëtimit të kuqezinjve në “Euro 2024”. Gjimshiti kishte një falenderim për të gjithë e theksoi se është me rëndësi të ecin përpara. Më herët, trajneri brazilian Silvinjo tha se shpreson ta drejtojë Shqipërinë edhe për 10 vite.

Pas eliminimit të Shqipërisë në fazën e grupeve të Europianit, Gjermani 2024, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u shpreh se duhet të jemi krenarë. Në një postim në rrjetet sociale, numri një i FSHF-së theksoi se krenarë duhet të jemi për shumë arsye dhe mes tyre veçoi pjesën që “mbushëm sheshet dhe rrugët në Gjermani”, siç tha “duke shpërndarë dashuri”.

Kryeministri Rama falënderoi kombëtaren shqiptare të futbollit për pjesëmarrjen në Kampionatin Europian. Rama u shpreh se “skuadra jonë largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre prej fuqive më të mëdha të futbollit, që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush”.