Bota

Xi Jinping akuzohet për “spastrime staliniste”…

Presidenti kinez Xi Jinping po akuzohet për një fushatë “staliniste” për zyrtarët e zhdukur që dyshohet se janë torturuar për vdekje, shkruan e përditshmja britanike The Mirror.

Shumë besojnë se ish-ministri i jashtëm Qin Gang është zhdukur me forcë pas shkarkimit të tij të pashpjeguar. Të tjera figura të zhdukura janë gjeneralë të ushtrisë dhe zyrtarë të sektorit financiar në vend.

Kritikët thonë se çështja rëndohet pasi të zhdukurit nuk janë anëtarë të fraksioneve rivale në Kinë por anëtarë të partisë dhe rrethit të brendshëm të Xi.

Ashtu siç po shihet dhe në Rusi ku presidenti Vladimir Putin i trembet tradhtive të rrethit të tij të brendshëm, edhe 70-vjeçari Xi duket se po vepron prej paranojës.

Qin ishte emëruar ambasador në Uashington në 2021 dhe 18 muaj më vonë ministër i jashtëm. Paraqitja e tij e fundit publike ishte më 25 qershor me ministrat e jashtëm të Sri Lanka e Vietnamit në Pekin. Pak më vonë ai u zhduk dhe dy njerez kanë pohuar se ai ka vdekur, ose nga vetëvrasja ose nga tortura, shkruan The Mirror.

Mediat vendase publikuan një lidhje të tij me një gazetare vendase por ekspertët thonë se zhvillimi është pjesë e një spastrimi politik.

Stephen McDonell, korrespondenti i BBC për Kinën tha për çështjen: “Ministri i ri duket se konsiderohet si i sigurtë për pushtetin, ndërsa Qin Gang nuk është më. Mjafton të shikojmë faqen qeveritare të internetit për të kuptuar të gjitha referencat e tij janë hequr, diçka që bëhet në formën e dënimit për të gjitha ata që konsiderohen jo të mirë ose të përshtatshëm”.