Celebrities Film & Tv

Xhirimi i “Squid Game” paska krijuar probleme serioze për regjisorin Hwand Donk-hyuk!

Seriali i Koresë së Jugut, “Squid Game” ka arritur një popullaritet shumë të madh që nga publikimi në Netflix muajin e kaluar. Për të gjithë ata që ende nuk e kanë parë, seriali është një ‘thriller’ i mbijetesës i vendosur në Seulin e sotëm, ku një grup prej 456 personash janë të ftuar të luajnë një seri lojërash për fëmijë me mundësinë për të fituar një shumë të madhe parash por nëse humbin në lojë, humbin jetën.

Seriali korean ka thyer rekorde në Netflix, por për krijuesin e tij që ka bërë rolin e skenaristit, producentit dhe regjisorit nuk paska qenë fare e thjeshtë. Hwand Donk-hyuk, ka zbuluar se puna e tij u refuzua për 10 vjet për shkak të konceptit të tij ‘të çuditshëm’. “Squid Game” nuk kishte mjaftueshëm fonde për t’u realizuar, por kur u krijuan kushtet dhe erdhi momenti për të xhiruar, Hwand e përshkruan si një nga vështirësitë më të mëdha të jetës së tij.

Xhirimet kanë qenë shumë intensive. Stresi m’u shfaq në një formë fizike. Kam humbur 6 dhëmbë gjatë atyre ditëve. Ende nuk i kam zëvendësuar. Kam nevojë për implante, por nuk kam pasur kohë.

Lidhur me përmbajtjen e serialit, ai shpjegoi:

Duke u shndërruar në një të rritur, pyeta veten si do të ishte të ktheheshim edhe njëherë në lojërat e fëmijërisë? Kjo është një histori për humbësit, ata që luftojnë me sfidat e jetës së përditshme dhe mbeten pas, ndërsa fituesit triumfojnë. Është gjithashtu një histori personale. Dy personazhet kryesorë, Seong Gi-hun dhe Cho Sang-Woo, kanë emrat e dy shokëve të mi të fëmijërisë që janë klonët e mi të brendshëm. Ashtu si Gi-hun, unë u rrita nga një nënë beqare në një mjedis me probleme financiare në Ssangmun-dong. Ashtu si Sang-Woo, unë shkova në Universitetin Kombëtar të Seulit dhe e gjithë lagja ime ishte krenare për mua dhe kishte pritshmëri të larta nga unë.

Shikuesit dhe kritikët i janë përgjigjur pozitivisht këtij seriali. Pavarësisht se të shumtë janë ata që kërkojnë një sezon të dytë të serialit, regjisori rrëfen se e shqetëson kjo ide.

Megjithatë, shkollat ​​po paralajmërojnë prindërit që të mos i lënë fëmijët e tyre të shikojnë serialin e Netflix-it, pasi disa nxënës u panë duke imituar skena të njëjta si në serial. Shfaqja e diskutueshme tani ka ndikuar që shkollat t’iu kërkojnë prindërve të monitorojnë atë që fëmijët e tyre po shikojnë mes frikës së imitimit të personazheve të serialit.