E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Xhilda Luzi, një nga moderatorët e këtij sezoni të emisionit “Goca & Gra”. Ajo ka rrëfyer risitë e këtij sezoni që nis nesër në orën 22:00 në ekranin e Top Channel, si dhe marrëdhënien me moderatoret e tjera, Egla Ceno, Heidi Baci, Rudina Dembacaj dhe Jorida Rustemi.
Cilat janë emocionet e para?
Jam shumë e lumtur, mezi po pres. Mendoj se të gjitha do të formojmë një buqetë shumë të bukur lulesh, në format e tyre të ndryshme, në idetë dhe kundërshtitë e njëra-tjetrës.
Si i duken moderatoret e tjera?
Nga loja që kishte pasqyruar në BBV, mendova se Egla do të ishte eksplozivi që pamë atje brenda. Por është krejt e kundërta në marrëdhënie pune, shumë e qetë, tolerante, e dashur. Heidi është solare, e qeshur, e dashur, e zgjuar. Rudina është dashuri më vete, energjia më e nevojshme e këtij kasti, me batutat dhe vërtetësinë me të cilën nuk bën asnjë kompromis. Pastaj një psikologe si Jorida është e nevojshme për shëndetin tonë mendor dhe të ruaj këtë balancën tonë në emision. Nëse ka një njeri që do ta bëjë më së miri shpirtin e kundërshtimit dhe të mos ngjajë ‘boring’, është Egla Ceno.
Cilat janë disa nga risitë e këtij sezoni?
Ne do të kemi rubrika që do të bashkëbisedojmë me publikun dhe kjo do e bëjë më interesante për të parë këndvështrimet tona dhe të publikut. Studio është e re dhe është një super staf që po punon fort. Për puntatën e parë kemi një të ftuar dhe një super surprizë. Këtë herë vjen si risi dhe rubrika “GG Chat” ku publiku mund të na shkruajë për temat që ka dëshirë të flasë, histori personale që duan të ndajnë dhe do të ketë dhe sondazhe herë pas here.