Celebrities Live From Tirana Music

Xhesika Polo zbulon detaje të pathëna më parë rreth këngëve të saj.

Këtë të mërkurë artistike, në “Live From Tirana” ishte e ftuar këngëtarja Xhesika Polo. Ajo u gjend pranë mikrofonit të TAR për të zbuluar detaje nga prapaskenat e hiteve të saj më të bukura të publikuara ndër vite. Këngëtarja gjithashtu tregoi detaje të vogla nga jeta e saj personale të pa dëgjuara më parë.

Turn me on (2014)

“Nuk i dëgjoj këngët e mija të vjetra. E kam gjetur veten në televizor ndërkohë që po haja patate. Do doja t’i ndryshoja shumë gjëra. Në këtë moment do e kisha sjellë më shumë si Xhesika, nuk do kisha bërë kaq shumë kompromisë për t’u përshtatur me publikun.”

Aura (2014)

“Do të ishte personale nëse do e kisha shkruar unë, por nuk e kam bërë unë. Nuk doja të dilja e të thyeja xhamat për të treguar vokalin, por doja diçka emocionale. Jam përmisuar goxha në të njohurit veten.”

Fati jemi ne (2015)

“Do të doja shumë ta kisha dërguar në një festival! Është një këngë që e dua shumë dhe e pëlqej shumë. Ka një tekst shumë të bukur motivues. E kam përjetuar pak keq në festival sepse duhet të këndonim live dhe më dukej sikur kisha harruar të këndoja, nuk kam bërë një performancë të mirë muzikale sepse neglizhova pjesën e provave.”

Eva jam unë (2015)

“Nuk ka marrë ‘feedback’ që meritonte! Donim të bënim një ndryshim të vogël në këtë botë të pistë, por nuk ja dolëm. Fustanin e kisha zgjedhur si femra e parë në tokë, të bardhë me lule e shqiptarët e morën dhe e përdorën në mënyrë perverse. Kam një peng që mund të mos e kem më… Dua që kësaj kënge t’i bëj një trajtim që të dalë ashtu siç duhej në fillim. ”

Vetëm një fjalë (2016)

“Më vjen keq për veten kur më thonë që kam një baladë fantastike dhe më thonë këngën “Vetëm një fjalë”.”

Jetën ma fal (2017)

“Në festival kam përjetuar gjënë më të çuditshme. Kur mora pjesë me tim vëlla kisha një atmosferë tjetër. Atë vit, ishte viti i vetëm që jam gëzuar në mënyrë ekstreme që kalova në finale, sepse gjatë provave rrija në një cep e nuk dija çdo bëhej me fatin tim. Kur më telefonuan që do të kaloj në finale, kuptova që asnjë nuk ta heq atë që meriton.”

Albaneza ft Alex Seitaj (2020)

“Halle G Polo’! E kam shijuar procesin që nga bërja e melodisë, teksti dhe flokët e mia parodike. ‘HalleG’, ka dalë shumë padashje, një emër tjetër artistik. Kënga më e famshme që kam. Duhet t’i futem popullores!”

Më mbron (2020)

“Unë nuk u nisa që të bëja një këngë të tillë, sepse e dija që do ta kisha të vështirë ta këndoja. Doja t’i kurseja vetes atë dhimbje. Në këngë është po e njejta linjë, nga fillimi e deri në fund. Tekstin e nisa ndryshe, e shkroi Aleksi, por duke e dëgjuar shpesh, e kam shkruajtur komplet tjetër. Është kënga më e bukur dhe sa herë e dëgjoj ndiej dhembjen, e kam bërë për veten time, vëllain dhe mamin sigurisht. Njerëzit ma kuptojnë dhembjen sepse dhe ata kanë humbur.”

Frymë (2020)

“Ah sa e bukur është… Në festival kënduam live e duhet të bënim një performancë të bukur. Unë zgjodha veshjen më të zhveshur për të përjetuar atë të ftohtë. ”

S’më vret ft Klint Çollaku (2021)

“Kam një ves të keq që dëmton producentin tim Marko Polo. Kur dua të marr pjesë diku i them gjithmonë javën e fundit. Teksti është shkruar së bashku me Klintin. Kënga ka ecur shumë mirë e sigurisht që do atë punën e saj që të dëgjohet nga shumë njerëz. Pres që të duhet nga njerëzit sepse është e thjeshtë dhe modeste.”

Xhesika gjithashtu na zbuloi detajin, se ajo refuzon të bashkëpunojë me ndonjë producent tjetër përpos të vëllait.  E pyetur nga moderatorët nëse ajo do të dëshironte të bënte ndonjë bashkëpunim me kompozitorin Irkenc Hyka, ajo u shpreh se nuk do e ndërronte kompozitorin e saj, Marko Polo, i cili është edhe vëllai i saj.

“Unë nuk do të bashkëpunoja me asnjë kompozitor tjetër përveç Marko Polos, sepse dua të kem shumë kimi me personin që bashkëpunoj dhe të di se si ai do të më nxjerrë.”