Xhenxhefili nuk rekomandohet nëse jeni duke marrë ilaçe kundër mpiksjes së gjakut, keni gurë në tëmth ose sëmundje të veshkave. Ai ‘përplaset’ me disa ilaçe kundër hipertensionit dhe mund të vështirësojë kontrollin e sheqerit në gjak. Përdorimi i xhenxhefilit mund të ketë kundërindikacione për disa grupe njerëzish. Mund të themi se te personat më të rinj dhe të shëndetshëm që nuk kanë ndonjë sëmundje kronike, konsumimi më i shpeshtë i xhenxhefilit zakonisht nuk do të jetë i rrezikshëm ose do të ketë pasoja negative, por te njerëzit më të vjetër, mosha që shpesh tashmë ka një diagnozë, sigurisht që duhet kujdes, sepse efekti i tij në disa raste mund të jetë shumë i dëmshëm.
Për shembull, xhenxhefili nxit hollimin e gjakut, gjë që mund të jetë i rrezikshëm për njerëzit që marrin ilaçe kundër mpiksjes, pasi mund të shkaktojë gjakderdhje. Kjo është arsyeja pse edhe gratë shtatzëna këshillohen ta përdorin me kujdes dhe në sasi shumë të vogl. Gjithashtu, xhenxhefili “përplaset” me disa lloje të barnave antihipertensive dhe duke qenë se funksionon edhe në uljen e sheqerit në gjak, tek diabetikët që përdorin ilaçe ose insulinë, mund të vështirësojë kontrollin e sheqerit në gjak dhe të çojë në hipoglicemi.
Duke qenë se xhenxhefili stimulon prodhimin e tëmthit, mund të shkaktojë probleme te personat që kanë gurë në tëmth dhe ka efekt negativ edhe nëse ka probleme me veshkat. Para përdorimit është gjithmonë e rëndësishme të konsultoheni me mjekun, dietologun ose farmacistin për komplikacionet e mundshme nëse tashmë keni disa probleme shëndetësore ose jeni duke përdorë medikamente për sëmundje kronike.