Bota

“WSJ”: Nuk ka gjasa për marrëveshje armëpushimi në Gaza deri në janar!

Zyrtarët amerikanë nuk besojnë më se një marrëveshje armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas do të mund të arrihet përpara përfundimit të mandatit të presidentit Joe Biden në janar 2025. Kjo u njoftua nga “Wall Street Journal”. Në një artikull, gazeta e njohur amerikane citoi zyrtarë të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe në Departamentin e Shtetit e në Pentagon, por pa i përmendur me emra ata.

Më parë, Uashingtoni zyrtar ka vënë në dukje se 90% e marrëveshjes për të siguruar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve ishte arritur, ndërsa zv.presidentja Kamala Harris, e cila po kandidon për presidencialet e nëntorit në kampin demokrat, vazhdimisht ka deklaruar se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është punuar “pa pushim” për të arritur një marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që kanë shërbyer si ndërmjetës në bisedime, të tilla si Katari dhe Egjipti, prej muajsh kanë bërë përpjekje për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, por pa arritur që ta finalizojnë.

Negociatat kanë vazhduar për të hequr dy pengesa:

Kërkesën e Izraelit për të mbajtur forcat e tij në korridorin e Filadelfit me synimin për të ruajtur një territor neutral mes Gazës dhe Egjiptit, si dhe mbi specifikat e shkëmbimit të pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë që mbahen nga Izraeli.

Korridori i Filadelfit përdoret si emër i koduar nga shteti hebraik për një territorit të ngushtë toke, 100 m të gjerë e 14 km të gjatë dhe që gjendet në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit. Ky korridor përdoret si rrugë furnizimi për kalimet e armëve, municioneve e të tjera materialeve të paligjshme nga Egjipti për në Rripin e Gazës.

Në fund të majit të këtij viti, presidenti Biden paraqiti një propozim me tre faza për armëpushim. Për planin e prezantuar më 31 maj, u tha se Izraeli kishte rënë dakord. Por, marrëveshja ka hasur në pengesa dhe zyrtarët kanë thënë se së shpejti do të paraqitej një propozim i ri. Kritikët dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar Uashingtonit të kushtëzojë mbështetjen ushtarake për Izraelin. Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga mbështetja për aleatin e tyre.