Nëse keni parë “Greenberg” nga regjisori Noah Baumbach, duhet ta mbani mend një skenë ku protagonisti – Ben Stiller – shfryhet përpara një dhome me 20 vjeçarë të cilët sipas tij janë shkatërruar për shkak të një prindërimi të squllët, tejet të ndjeshëm. (Nëse nuk e keni parë, duhet). “While We Were Young” është një tjetër përçapje e Z. Baumbach (sërish me Ben Stiller) për të krahasuar apo sjellë në katarsis gjeneratat. Stiller kësaj rradhe luan një dokumentarist në të 40-tat, i martuar, pa fëmijë, ndërsa i gjithë rrethi i tij i të njohurve janë bërë prindër, ai dhe e shoqja Cornelia (Naomi Watts) përpiqen ende të shijojnë jetën dhe të jenë qëndra e universit të tyre. Deri në momentin që universi do t’i njohë me një çift të një gjenerate tjetër duke i bërë ata të lundrojnë në brigje të trazuara.
Në një skenë nga fillimi i filmit, Stiller në këpucët Josh pyet auditorin me një pyetje retorike:
“Një vepër artistike është këndvështrim im mbi ngjarjen, një dokumentar është këndvështrimi i subjektit të dokumentarit. Por në kohët që jetojmë a mund të jetë gjithashtu i imi, si krijues, pavarësisht se është dokumentar?”
(Dokumentari me të cilin po punon ka mbi 8 vite në montazh)
Nëse 45 vjeçarët e sotëm dalin shpejt nga loja për shkak të hapësirës jo të vogël (prej zhvillimeve teknologjike) që Millenialët kanë më gjeneratën Z dhe Alpha (lindjet nga 1997 e këtej) kjo nuk gëlltitet kollaj nga të parët, dhe ky film, që ka për krijues një 45 vjeçar është këndvështrimi i tij për vlerat e secilës gjeneratë, në raport me veten dhe njëra-tjetrën. Të rinjtë janë [goxha] të shkathët për të injoruar diturinë e fituar me mund nga brezi parardhës, dhe kanë një zhdërvjelltësi të admirueshme për të gjetur rrugë të shkurtra shpesh duke bërë me hile.
Në dy të tretat e filmit jemi në gjendje të shohim dy pamje të ndryshme të New York-ut. Atë të Josh dhe Cornelia, i përmbajtur, stoik, i avashtë disi i mërzitshëm dhe atë të Jamie (Adam Driver) dhe Darby (Amanda Seyfried) një çift 25 vjeçarësh që jetojnë me vrik, pa dogma në New York-un spontan dhe përgjithmonë interesant e plot të papritura. Jamie është gjithashtu film-bërës – në përpjekje për të realizuar dokumentarin e tij të parë, bashkëshortja e tij e re ka një karrierë si akullore-bërese.
Baumbach tregon bukur sa të ndryshme janë jetët e dy çifteve që i përkasin dy gjeneratave me dy dekada në mes, me skena që variojnë nga klishetë e rastit tek gjetjet shumë gazmore.
Në kohën kur të gjithë miqtë e tyre ja kishin dalë të kalonin në kapitullin tjetër të një çifti të martuar, atij të krijimit të një familje, për Josh-in dhe Cornelian, kjo ishte e pamundur, dhe joshja e tyre për të shpenzuar më shumë kohë me Jamien dhe Darbyn ishte shumë më e madhe sesa ajo me miqtë e tyre të hershëm (Fletcher (Adam Horovitz) dhe Marina (Maria Dizzia)) të cilët të sapo-bërë prindër çdo gjë tashmë e rrotullonin rreth bebeve, një temë që i kujtonte çiftit mangësitë e tyre aktuale.
Kështu në vend të zgarave me burra me këmisha që duken si sofrabez buke, ata shkonin ne klasa Hip-hop-i, në vend të pazarit në dyqane marke, shkonin në tezga në rrugë, në vend të restoranteve të traditës shkonin në vende të reja ‘hip&trendy’, në shoqërinë e një çifti që kishin lindur me telefon në dorë, por që shikonin filma me VHS, dëgjonin muzikë me kaseta dhe kur gjatë një bisede nuk po gjenin kuptimin e një fjale, sugjerimit të Josh për ta ‘Google’-uar i përgjigjen me:
“Le të mos ta dimë…”
Çfarë do ta quanit ju këtë? Injorancë me vetdije apo vetpërmbajtje për të mos qënë skllav i telefonit të zgjuar. Regjisori dhe skenaristi i filmit është i njohur dhe i rrespektuar për dialogjet e tij jo fort goditëse por që kanë aftësinë për të të futur në mendime. Përplasjet e mëndësisë së brezave karshi një vepre apo fenomeni ai i tregon në disa shembuj. Si rasti kur brezi i sotëm e quajnë “Eye Of The Tiger” një super-këngë, por ata që kanë lindur në ‘70 apo ‘80 e dinë që kjo kolonë zanore e “Rocky” quhej një paçavure në kohën e saj.
Përplasja më e fortë e brezave që Z. Baumbach vendos në këtë film është nocioni i ‘bujarisë’. Si, sipas tij, 45 vjeçarët janë të gatshëm për të ndihmuar dhe sa 25 vjeçarët janë edhe më të gatshëm për të të zhvatur e ndukur sapo t’u jepet rasti. Parimi etik i bujarisë është tema kryesore që zhvillohet në gjysmën e dytë të filmit. Përplasja e brezave do të zhvillohet edhe më tej në një skenë që Josh ka me babain e Cornelias: Leslie (Chalres Grodin), një figurë e rrespektuar, veteran i dokumentarëve. Regjisori është i ndjeshëm dhe i kujdesshëm për të mos përgjithësuar dhe për të faktorizuar me të ndrejtë Unë-in edhe pse kjo jo nuk është e shpërndarë në mënyrë të drejtë me të gjithë personazhet e historisë.
Edhe pse në më të shumtën e tij historia e shkruar bukur, pa pretendime por solide, rrjedh dhe të argëton, nga fundi busulla e Z. Baumbach humbet dhe situata bëhet disi kaotike duke mos patur një farë shpërthimi të dëshiruar.
Po ashtu pavarësisht aktorëve të kalibrit të lartë, ai arrin t’i marrë pak nga mundësitë që ata kanë për të dhënë, e vënë re kjo kryesisht në personazhet e grave, të cilat vazhdimisht janë të pavlerësuara qoftë nga ata para kameras, qoftë nga ata pas.
Në fund të “While We’re Young”, përtej grimcave që qëndrojnë me këmbët e tyre kur vjen puna tek përplasjet e dy (ose më shumë) brezave, personazhet humbasin në sipërfaqen e kësaj teme që sado të qëndrojë nuk mund të jetë e pa lidhur me konstruktet tona mendore që luajnë rol kryesor në formësimin e përvojave dhe perceptimeve tona për botën përreth nesh.
Zgjedhjet që bëjmë në fund të ditës nuk kanë fort të bëjnë me moshën sesa me reagimin tonë personal karshi rrethanave, cilatdo qofshin.