Më 6 gusht 1991, 34 vjet më parë, u bë historia e internetit, kur shkencëtari Tim Berners-Lee publikoi për herë të parë faqen e internetit të quajtur “info.cern.ch”.Ky u bë siti i parë në botë, një platformë e thjeshtë që përfaqësonte hapjen e një epoke të re për komunikimin dhe shpërndarjen e informacionit global.
Ky projekt i realizuar nga Qendra Kërkimore e CERN-it në Gjenevë, bëri të mundur krijimin e internetit të modernizuar dhe zhvillimin e një rrjeti global të lidhur që lidh njerëzit dhe organizatat në mbarë botën.
Faqja e parë ishte një platformë e thjeshtë tekstuale dhe përdorte lidhje hiperteksti për të mundësuar lëvizjen e përdoruesve mes faqeve dhe informacionit. Ajo paraqiste një rrjet informacioni të lidhur, që shpejt u bë një pjesë thelbësore e jetës për miliona njerëz.
Sot, pas më shumë se tri dekadash, interneti ka kaluar nga një mjet i thjeshtë komunikimi në një entitet të fuqishëm, që ndikon pothuajse çdo aspekt të jetës moderne. Rrjetet sociale, lajmet në kohë reale, platforma e-commerce, dhe shërbimet e streaming-ut janë vetëm disa nga risitë që kanë transformuar përvojën tonë të përdorimit të internetit. Në këtë periudhë, informacioni udhëton në çdo cep të botës për pak sekonda, dhe platforma të tilla si motorët e kërkimit dhe lajmet online kanë bërë të mundur që të mbetemi të lidhur dhe të informuar në kohë reale.
Kur Tim Berners-Lee zhvilloi prototipin e tij të internetit në CERN, ai nuk mund ta parashikonte se sa shpejt do të përhapej ky mjet dhe sa shumë do të ndryshonte mënyra se si komunikojmë dhe punojmë. Edhe pse interneti i sotëm është shumë më kompleks dhe i mbushur me mundësi të pafundme, ai ka mbetur besnik në filozofinë e tij themelore për shpërndarjen dhe ndarjen e informacionit për të gjithë.