Aktualitet Sociale

“We Too”, PJESËMARRËSIT e veçantë të Maratonës së Tiranës!

Maratona e Tiranës edhe këtë vit u pasurua me një kategori të veçantë, duke e bërë garën edhe më frymëzuese.

Në kuadër të kësaj maratone, u zhvillua edhe gara “We Too,” e cila kishte më shumë synim motivimin sesa konkurrimin.

Në këtë kategori morën pjesë persona me aftësi të kufizuara dhe paraplegjikë, të cilët vrapuan për të mbështetur një kauzë të rëndësishme, duke përcjellë mesazhe të fuqishme shprese dhe guximi.

Këta pjesëmarrës treguan se asgjë nuk mund të ndalë vullnetin për të kapërcyer sfidat e jetës.

Edicioni i tetë i Maratonës së Tiranës ka mbërritur, më rreth 5 mijë pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rreth 50 vende të botës që do të bëhen pjesë e garës. Maratona është kthyer një traditë për kryeqytetin.

Maratona nisi në orën 09:00 nga sheshi Skëndërbej dhe mbyllet  në 16:00. Gjatë këtyre fashave orare rrugët kryesore brenda unazës së mesme do të bllokohen.

Në mesin e pjesëmarrësve në maratonën kryesore prej 42 km është atletja Luiza Gega. Ndërkohë, këtë vit, sipas Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, janë 40% më shumë sportistë në maratonën kryesore.

Maratona do të zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon” 42 km, “Half Marathon” 21 km, “Tirana 10K”, 10 km, dhe “We Too” 5 km. Për secilën prej tyre janë parashikuar çmime të ndryshme.

Një ditë para “Maratonës së Tiranës”, në kryeqytet u zhvillua gara e vrapimit “Fun Run Tirana” me 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të cilët vrapuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.